Jetesë & Stil

Princi William reagon i revoltuar pas komenteve raciste për futbollistët e Anglisë


Princi William - Duka i Cambridge

Duka i Cambridge, Princi William, ka reaguar ashpër kundër racizmit për tre futbollistët anglezë që humbën penalltitë në natën finale të “Euro 2021”.

Akoma pa kaluar një ditë e plot prej përfundimit të ndeshjes finale të futbollit mes Anglisë dhe Italisë, Princi William, ka publikuar një postim në llogarinë e tij të Twitter për të dhënë një porosi kundër racizmit për futbollistët me ngjyrë.

“Jam i neveritur nga abuzimi racist i drejtuar lojtarëve të Anglisë pas ndeshjes së mbrëmshme. Është totalisht e papranueshme që lojtarët duhet të durojnë këtë lloj sjelljeje”.

“Kjo gjë duhet të ndaloj dhe të gjithë personat që janë përfshirë brenda këtyre komenteve, duhet të mbajnë përgjegjësi”, shkroi William në një postim në Twitter.

Reagimi i tij vjen pas humbjes së Anglisë në finalen me Italinë, teksa tre lojtarë të skuadrës angleze që morën pjesë në penallti, Marscus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka, u përballën me një mori komentesh negative në rrjete sociale.

“Kthehu në Nigeri” e “Largohu nga vendi ynë”, ishin vetëm disa nga komentet raciste të bëra nga tifozët anglezë pas humbjes së vendit të tyre në finalen e “Euro 2021”.

Disa nga komentet drejtuar tre futbollistëve të Anglisë, Marscus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka.

Rreth kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe Shoqata e Futbollit, e cila ka denoncuar sjelljet e tilla, duke u shprehur se organizata “është e tmerruar nga racizmi në internet kundrejt disa lojtarëve tanë të Anglisë në mediat sociale”.

“Ne nuk mund të ishim më të qartë se dikush që qëndron pas një sjellje të tillë të neveritshme, nuk është i mirëpritur në tifozerinë e ekipit”.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur lojtarët e prekur, ndërsa nxisim dënimet më të ashpra të mundshme për cilindo përgjegjës”, tha shoqata në një deklaratë për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore