Lajme

Princi i Lihtenshtejnit akuzohet për vrasjen e ariut më të madh të Rumanisë


Princi nga familja mbretërore e Lihtenshtejnit është akuzuar nga grupet mjedisore për qëllimin dhe vrasjen e ariut më të madh në Rumani.

OJQ-ja Rumune Agent Green dhe OJQ-ja Austriake VGT sqaruan në një deklaratë se ariu, i quajtur Arthur, u qëllua në mars. Ai u pikas në një zonë të mbrojtur të Maleve Karpate nga Princi Emanuel von und zu Lihtenshtajni.

Sipas OJQ-ve, princit i ishte dhënë miratimi i veçantë nga ministria rumune e mjedisit për të qëlluar një ari femër që sulmonte fermat e fshatarëve.

Sakaq, ato deklarojnë se “princi nuk e vrau ariun problematik, por një mashkull që jetonte thellë në pyll”.

Në deklaratën e tyre ata thanë se “ariu me emrin Arthur është vëzhguar për shumë vite nga rojtari i zonës Agent Green dhe ishte i njohur si një ekzemplar i egër që nuk ishte mësuar me praninë e njeriut”.

Gabriel Paun, presidenti i Agent Green, tha se Arthur ishte 17 vjeç dhe ishte ariu më i madh i vëzhguar në Rumani, dhe ndoshta më i madhi që jetonte në Bashkimin Evropian.

Agjencia Associated Press raportoi se kishte parë dokumente zyrtare të gjuetisë që konfirmonin se Princit Emanuel ishte dhënë një leje gjuetie katër-ditore në muajin mars.

“Pyes veten se si princi mund të ngatërronte një ari femër që vinte në fshat me mashkullin më të madh që ekzistonte në thellësitë e pyllit”, tha presidenti i Green, Paun.

Arinjtë kaf janë një specie e mbrojtur sipas ligjeve ndërkombëtare dhe atyre rumune, dhe Rumania ndaloi gjuetinë e tyre në 2016. Sidoqoftë, qeveritë e njëpasnjëshme me përjashtime, kanë dhënë leje të lëshuara nga ministri i mjedisit, në rastin e arinjve që kanë shkaktuar dëme serioze ose kërcënuar njerëz.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore