Shqipëria

Primaret në PD, Komisioni i Rithemelimit publikon shifrat: Fluks shumë i madh në Shkodër


Komisioni për Organizimin dhe Kontrollin e Operacioneve Elektorale ka njoftuar të dielën e 30 janarit se procesi në gjashtë degët ku po zhvillohen votimet për primaret po ecën normalisht.

Shifrat e publikuara për pjesëmarrjen deri në orën 10:30 tregon se në degën Dibër kanë marrë pjesë 220 votues, në Durrës 340, në Vorë 120, në Rrogozhinë 110 dhe në Lushnjë 160.

Sipas Komisionit, ka një interesim të madh të demokratëve për të zgjedhur kandidaturën që do t’i përfaqësojë ata në zgjedhjet vendore të datës 6 mars 2022.

Bëhet me dije se për shkak të fluksit të votuesve në qendrën e votimit në Bashkinë Shkodër, pjesëmarrja për këtë degë do të njoftohet më vonë.

Primaret në Durrës

Komisioni i Rithemelimit, publikoi të shtunën e 30 janarit emrat e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, ndërsa ditën e sotme nisën primaret në të gjashta bashkitë.

Votimi ka nisur që në orën 08:00 në 9 Qendrat e Votimit, në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme, dhe pritet të zgjasë deri në orët e pasdites.

Komisioni i Rithemelimit i ka ftuar anëtarët e PD në degët Dibër, Durrës, Lushnjë, Rrogozhinë, Shkodër që sipas tyre të bëhen pjesë procesit të votimit në primare “si ushtrim i demokracisë, si proces përbashkues, për një Parti Demokratike më të fortë, më të bashkuar”.

Gjithsej numërohen nëntë qendra votimi ku tre janë në Shkodër, dy në Durrës, një në Dibër, një në Lushnjë, një në Rrogozhinë dhe një në Vorë janë hapur në orën 8.

Votimet në Dibër

Procesi i votimit ka nisur i qetë e pa probleme.

Primaret e Berishës për 6 mars – 22 kandidatë në garë

Komisioni i Rithemelimit më 29 janar prezantoi emrat të cilët do të garojnë në primaret e 30 janarit, me qëllim nxjerrjen e gjashtë kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme lokale më 6 mars.

Në të gjashtë bashkitë, ka disa emra kandidatësh, ku totali shkon në 22 të tillë.

Në Shkodër, emri më i njohur është ai i Bardh Spahisë, teksa kryetarja aktuale, Voltana Ademi, nuk është në listën e garuesve të Berishës, siç mendohej.

Pesë të tjerë do të garojnë po ashtu në primaret e Shkodrës, duke e çuar në gjashtë totalin.

Përveç Spahisë, ata janë Alfred Kocobashi, Arben Maliqi, Astrit Bushati, Irena Shala dhe Irma Kopliku. Tre të parët janë juristë, Spahia mjek, Shala ekonomiste dhe Alushi vjen nga sfera pedagogjike, përkatësisht matematika.

Në Dibër, tre do të jenë garuesit nga kampi Berisha.

Behar Dema, Dafina Muda dhe Premtim Kryemadhi, do të sfidohen për vendin e kandidatit në bashkinë veriore të vendit.

 

Në Durrës, dy janë kandidatët. Urbanisti Ardian Muka dhe informaticienja Silvja Gjepali.

Nga ana tjetër, në Lushnjë, janë katër garues në primare.

Arben Zaimi, Elton Bano, Eurion Iljazi dhe Indrit Qerimi do të garojnë. Dy të parët janë nga bota e avokatisë dhe dy të tjerët nga ajo e edukimit fizik.

Pesë kandidatë do të shohë Rrogozhina në primaret e 30 janarit.

Eqerem Deliu, Hajrulla Tafa, Hekuran Xhani, Sokol Gosa dhe Vladimir Manushi, do të kërkojnë votën për vendin e kandidatit.

Në bashkinë e fundit, atë të Vorës, gara do të jetë mes dy kandidatëve. Inxhinieri Luan Beta dhe ekonomisti Lulzim Vrana, përballen për vendin e kandidatit.

Primare

Konceptin e primareve, Sali Berisha e prezantoi nëpërmjet një postimi në Facebook. Sipas tij, ato do të bazohen në formulën amerikane të primareve. Mirëpo, për shkak të kohës, diçka e tillë është e pamundur dhe nuk do të ketë një fushatë të mirëfilltë për ato të 30 janarit.

Një tjetër gjë që është bërë me dije, është edhe vendi ku ato do të zhvillohen në qytetet përkatëse.

Kështu, në Dibër, votohet në Pallatin e Kulturës, Peshkopi. Në Durrës, votohet në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Lushnja voton në zyrën e degës së Partisë Demokratike Lusnjë.

Rrogozhina në bar “Antika”.

Shkodra, do të ketë një ndarje me tre qendra votimi. E para në qytet, e dyta në Velipojë dhe e treta me qendra të dedikuara në rrethina.

Vora, voton në degën e Partisë Demokratike Vorë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore