Shqipëria

Pretendoi se i rrezikohej jeta në qeli, GJKKO rrëzon kërkesën e Erzen Breçanit për liri


Gjykata e Posaçme (GJKKO) këtë të premte të 31 majit ka rrëzuar kërkesën e Erzen Breçanit për lirimin nga qelia.

Kjo me pretendimin se i rrezikohej jeta pasi kishte probleme me zemrën dhe se vuante nga klaustrofobia

Kështu Gjykata ka rrëzuar të dyja aktet e realizuara nga ekspertët për Breçanin.

GJKKO vendosi që ai të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve.

Më 20 shkurt, ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit, u transportua për në ambientet e spitalit të Burgut, pasi raportohej se ai vuante nga klaustrofobia, frika prej vendeve të mbyllura.

Ish-drejtuesi i lartë i policisë u arrestua pas zbardhjes së disa bisedave ne aplikacionin SKY ECC, ku në pranga përfunduan disa persona, mes tyre edhe shefi i hetimit të krimeve Dedan Gjoni.

Në dëshminë e tij të dhënë në gjyq, Breçani deklaroi se nuk kishte marrë para nga djali i tij dhe as nga Ervin Mata.

Po ashtu mohoi të kishte dijeni mbi aktivitetin kriminal të Eralbi Breçanit, i cili ishte pjesë e grupit që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës.

Prokuroria e Posaçme SPAK ka sekuestruar HEC-in “Drita” në pronësi të Erzen Breçanit dhe familjarëve të tij.

Ndërkohë, Ervin Matës i janë sekuestruar llogari bankare, automjete, si dhe janë duke vijuar hetimet për prona të tjera në emër të tyre apo familjarëve.

Breçani akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash. Bujar Germizi, një emër i njohur i botës së krimit në Kukës, në bashkëpunim me shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe Besmir Mustati dyshohet se tentuan të vrisnin dy vëllezër që jetonin në Britaninë e Madhe, për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Ndërkohë gjashtë persona janë shpallur në kërkim: Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, biznesmeni Ervin Mata, vëllai i gruas së Eralbi Breçanit; Albert Prenga; Ismail Zeneli; Bajram Grabova e Artan Sulejmani.

Gjithashtu është caktuar masë sigurie detyrim me paraqitje për Jonida Babameto me detyrë oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore