Pretendimi i Vuçiç-it: “Kurti kërcënoi Listën Serbe dhe serbët se do të vuajnë”

SHFLETO

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

 

Dini Fetahu
15.09.2023 19:21
Loading Icons...

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar këtë të premte se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërcënuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e tij – kinse ata “do të vuajnë dhe do të paguajnë”.

Vuçiç ka hedhur akuza ndaj komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se kjo deklaratë që ai pretendon se është e Kurtit “u miratua pa koment apo dënim të askujt”.

“Sigurisht që jam i shqetësuar. Sidomos pas deklaratave të tilla dhe kërcënimeve të drejtpërdrejta të Albin Kurtit, por mund të them se Serbia nuk do ta lërë popullin e saj në Veri të Kosovës”, shtoi ai, transmeton media opozitare serbe “Nova”.

Këto komente ai i bëri një ditë pas takimit që e pati me Kurtin, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfundoi pa ndonjë marrëveshje.

Nga takimi i 14 shtatorit.

Sipas Vuçiç-it, negociatat e së enjtes në Bruksel nuk kanë pasur përparim sepse “nuk e ka dashur” kreu i ekzekutivit kosovar.

Presidenti serb pohoi se Kurti “nuk dëshiron një marrëveshje në të cilën do të duhej të formonte Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe para njohjes joformale (de facto) të Kosovës”.

Pas përfundimit të takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiç-it, Shefi i Diplomacisë evropiane, Josep Borrell, fajësoi kryeministrin e Kosovës për dështimin e negociatave.

Përkundër kësaj, Vuçiç thekson se “menjëherë më pas gjermanët thanë se fajin e kishin të dyja palët, si dhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, përdori të njëjtin formulim”.

“Kështu janë gjërat. Por më vjen mirë që ne ende sillemi në mënyrë konstruktive”.

Takimi i nëntë ndërmjet Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç-it nuk prodhoi ndonjë rezultat.

Sipas Shefit të Diplomacisë së BE-së ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiç-i e pranoi.

Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiç kërkoi themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kurti dhe Vuçiç, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.

Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.

Sipas Vuçiç-it, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit. Ky është thelbi i gjithçkaje”.