Kosova

“Presidentja s’do ta dekretojë Isufajn për Kryeprokuror”


Kanë kaluar më shumë se 1 vit që kur në tavolinën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, është emri i Blerim Isufajt, i propozuar për Kryeprokuror të Shtetit nga Këshilli Prokuorial, por që ende nuk është dekretuar nga Osmani edhe pse kjo e fundit ka premtuar se këtë vendim do marr në fund të këtij muaji.

Kryesuesi i Këshillit Prokurial të Kosovës, Jetish Maloku, në një prononcim për Albanian Post, ka thënë se pret që ky proces të përfundojë shpejt, pasi vendi ka mbetur me U.D të Kryeprokurorit, pozitë të cilën po e mban Besim Kelmendi, pas përfundimit të mandatit të Aleksandër Lumezit.

“Ne ende s’kemi marrë ndonjë një përgjigje nga Presidentja për dekretim ose jo te Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit. Presim që ky proces të përfundoj shpejt, meqë qe 1 vit kemi mbetur me U.D të Kryeprokurorit”, tha ai për AP.

Jetish Maloku

Megjithatë, juristi Arbër Jashari, beson se presidentja Osmani nuk do ta dekretojë Isufajn, pas kritikave këtij të fundit që iu bënë nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili dyshohet se është i përfshirë në vepra korruptive.

“Presidentja nuk do ta dekretojë zotëri Blerim Isufaj , për kryeprokuror të shtetit. Të paktën diçka e tillë është shumë pak e besueshme kur shohim qasjen e pushtetit aktual, karshi figurës së zotëri Isufajt. Deri me tani është dëshmuar se presidentja, nuk ka ndërmarr ndonjë veprim, ndryshe nga linja të cilën e ka proklamuar kryeministri, ose vartësit e tij”, tha Jashari për Albanain Post.

Por – Osmani sipas Jashari, nuk guxon pafundësisht, ta mbajë peng pozitën e Kryeprokurorit të shtetit.

“Ajo duhet t’i hapë udhë këtij procesi, qoftë përmes dekretimit të propozimit të KPK-se, qoftë duke vepruar të kundërtën”.

Ai shton se zvarritja e këtij procesi, nuk ka të bëjë me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për KPK-në

“Sa i përket ndryshimeve në KPK, mendoj se ka rënë si opsion, duke qenë se Ligji është abroguar nga Gjykata Kushtetuese dhe deri në miratimin e ligjit të ri do të kaloj shumë kohë. Pastaj edhe ligji tjetër, mund ta këtë te nijetin fat”.

Arber Jashari

Për juristin tjetër, Anton Nrecajn, njoftimi i Presidentes që më në fund do të merr vendim për dekretimin apo jo të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të shtetit është rast i paprecedent.

“Për më shumë se një vit është dashur të pritet. Kjo është indikator se as Presidentja dhe Kryeministri nuk kanë dashur që të dekretojnë Kryeprokurorin e shtetit. Në një vend normal dhe funksional çështja e dekretimit të shtetit nuk do të merrte më shumë se gjashtë muaj kohë”, theksoi ai për AP.

Nrecaj vuri në pah se zbrazëtira e krijuar pa kryeprokuror e ka dëmtuar dhe rënduar edhe më shumë sistemin e drejtësisë.

“Tani pasi kemi veprime konkrete në rastin e fundit të korrupsionit në KEK ka njoftuar se do të marr vendim. Kjo mund të shihet si tendencë për të kapur, respektivisht për të pasur nën kontroll sistemin e drejtësisë. Pavarësisht vendimit që presidentja do merr është i vonuar dhe aspak serioz”, shtoi ai.

Anton Nrecaj

Arsyet pse nuk po dekretohet Isufaj sipas zyrës për media të presidentes Osmani, janë pasi “ka pasur kontestim në rrugë gjyqësore të procedurave të zhvilluara në KPK nga disa nga kundërkandidatë”.

“Presidentja do të pres shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore që kanë në dispozicion kundërkandidatët e pakënaqur, të cilët ndodhen në procedura gjyqësore. Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, pati thënë më 5 prill, Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian dhe Organizatat joqeveritare – Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja Fol kishin vërejtje sa i përket procesit të zgjedhjes së Isufajt.

Madje, IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL, i patën bërë thirrje presidentes që gjatë vlerësimit të saj për emërim, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

Ndryshe, më 6 prill, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore