Shqipëria

Presidenti liron nga detyra drejtorin e SHISH-it, Helidon Bendo


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Helidon Bendo.

Kjo e fundit, me propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama.

“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, ‘Për Shërbimin Informativ Kombëtar’, të ndryshuar, me propozim të kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, shkruhet në dekretin zyrtar të Presidencës.

Kreu i qeverisë zbuloi pas dekretit të publikuar se ka qenë Bendo, i cili ka dorëzuar dorëheqjen.

Kjo, për arsye të vazhdimit të studimeve pasuniversitare në Kolegjin e Studimeve Ndërkombëtare e të Sigurisë, pranë Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Shtetet e Bashkuara.

Rama bëri me dije se ish-zyrtari i inteligjencës do të angazhohet në vijim si këshilltar i kryeministrit për reformën e institucioneve të sigurisë.

Struktura kryesore e Inteligjencës dhe Shërbimit të Sigurisë në Shqipëri (Shërbimi Informativ Shtetëror – SHISH), pritet të ketë një drejtues të ri në krye të saj.

Numri i dy i institucionit informativ të inteligjencës, i cili u emërua më 31 gusht, është Olian Kanushi.

Kujtojmë që SHISH është një nga dy strukturat e inteligjencës shqiptare së bashku me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) ose ish Shërbimi Informativ Ushtarak.

Shkarkimi i kryespiunit shqiptar brenda inteligjencës erdhi në një kohë kur vendi ynë regjistroi në harkun e një viti dy mësymje ndaj sigurisë së brendshme.

Kjo, pas dyshimeve të spiunazhit rus, e cila mbetet ende për t’u konfirmuar pas hetimeve të autoriteteve vendase.

Dy rusë dhe një shtetas ukrainas të cilët tentuan të hynin në një fabrikë ushtarake në Gramsh u arrestuan më 20 gusht për spiunazh.

33-vjeçarja Svitlana Timofeeva dhe 23-vjeçari Mykhailo Zorin, dhe 24-vjeçari ukrainas Fedil Alpatov thanë në dëshminë e tyre se ata ishin blogerë dhe kryesisht fotografonin territore ushtarake që ishin të braktisura dhe të pa përdorura nga shteti.

Gjykata shqiptare urdhëroi që dy rusët dhe ukrainasi të qëndrojnë në burg për akuzat e “sigurimit të informacioneve sekrete të karakterit ushtarak apo të çdo karakteri tjetër për t’i dhënë një fuqi të huaj, e cila cenon pavarësinë e vendit”.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe nuk u dhanë detaje se pse të dyshuarit mund të kenë qenë të interesuar për vendin.

Ata u arrestuan të shtunën brenda ose pranë ish-uzinës ushtarake në Gramsh. Të dyshuarit kishin bërë fotografi të uzinës.

Autoritetet shqiptare thanë se Zorin, i cili kishte hyrë në fabrikë, përdori spraj piperi ndaj dy rojeve ushtarake që po përpiqeshin ta kapnin.

Policia tha se sekuestroi automjetin e tyre Chevrolet, dy drone, një laptop, para dhe prova të tjera.

Tre të dyshuarit e mohuan akuzën për spiunazh. Nëse përfundimisht shpallen fajtorë, ata do të përballen me 10 vite burg.

Më 17 korrik 2022, Shqipëria u godit nga një sulm kibernetik i përmasave të mëdha, ku për arsye të sigurisë u mbyllën të gjithë adresat qeveritare dhe të tilla mbetën për disa ditë.

Pak nga pak, tabloja u plotësua nga shtetarët shqiptarë, duke shkuar deri në formulimin e një versioni zyrtar – i cili ende qëndron sot – i mësymjes kibernetike nga Republika Islamike e Iranit.

Helidon Bendo u emërua në detyrën e drejtorit të SHISH-it më 5 nëntor të vitit 2018.

Ai është një inspektor karriere, pasi iu bashkua shërbimit inteligjent në vitin 1995.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore