Lajme

Presidenti iranian sërish ka dyshime nëse ka ndodhur ose jo Holokausti


Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, nuk mundi të konfirmojë nëse mendon se Holokausti ka ndodhur ose jo.

“Ngjarjet historike duhet të hetohen nga studiues dhe historianë. Ka disa shenja që ka ndodhur. Nëse po, ata duhet të lejojnë që të hetohet dhe të hulumtojnë”.

Ishte kjo përgjigja e tij, gjatë një interviste televizive.

Pyetja erdhi ndërsa gazetarja e pyeti Raisin në lidhje me akuzat e bëra kundër tij se ai ishte përgjegjës për rreth 3 mijë vdekje nga varja në vitet ’80 nën urdhrat e liderit suprem të atëhershëm Ayatollah Ruhollah Khomeini.

Raisi ishte anëtari më i ri i komitetit të vdekjes së Teheranit në vitin 1988 kur ai ra dakord të “eliminonte” anëtarët e burgosur të grupit Mujahedin-e Khalq (MEK) për akte tradhtie.

Ai ishte 28 vjeç në kohën e masakrave.

Kur u pyet për këto akuza nga Stahl, përgjigja e tij solli tronditje mes Izraelit.

“Shokuese të dëgjosh komentet e presidentit iranian Raisi që vë në pikëpyetje nëse Holokausti ka ndodhur,” shkroi në Tëitter ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan.

Si ka lindur koncepti i mosnjohjes?

Irani dhe Izraeli patën marrëdhënie të mira nën Shahun.

Revolucioni Islamik i vitit 1979 solli një periudhë të re armiqësie anti-izraelite, por kjo nuk u shoqërua me asnjë përpjekje për të mohuar Holokaustin.

Në fakt, gjatë luftës Iran-Irak (1980-88), Teherani gjeti shumë filma perëndimor rreth Luftës së Dytë Botërore mjaft frymëzues për kombin dhe televizioni kombëtar ishte plot me programe që simpatizonin viktimat e luftës, duke përfshirë hebrenjtë.

Zyrtari i parë iranian që hodhi dyshime mbi Holokaustin ishte në fakt Ayatollah Khamenei.

Në janar të vitit 2002, ai iu referua dhomave të gazit në kampet e përqendrimit si një histori për të cilën e vërteta e saj ishte “jo e qartë” dhe që po përdorej si “propagandë sioniste” për të fituar simpatinë e botës.

Më pas gjatë viteve, Instituti i Ministrisë së Jashtme iraniane për Studime Politike dhe Ndërkombëtare (IPIS) ka mbajtur konferenca për promovimin e mohimit të Holokaustit të titulluar “Rishikimi i Holokaustit: Vizioni Global”.

Në 40 vitet e fundit makina propagandistike e Republikës Islamike ka lëshuar mijëra komente antisemitike.

Shumë prej tyre janë të paketuara si “vlerësime kritike të Judaizmit” ose “duke mbrojtur legjitimitetin e Islamit përballë Judaizmit”.

Kjo urrejtje e sponsorizuar nga shteti shpërndahet nga seminaret dhe institucionet shiite, mediat iraniane, madje edhe agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore