Sport

Presidenti i UEFA-s: Keni arsye për t’u ndjerë krenarë, futbolli në Shqipëri rritet me ritme të shpejta


Gjatë mbrëmjes gala “Më të Mirët 2023” të organizuar nga FSHF, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, dërgoi një video-mesazh ku përgëzoi FSHF-në për organizimin e eventit dhe vlerësoi arritjet e futbollit shqiptar gjatë këtij vitit.

“Nëse ndaleni një moment dhe analizoni vitin që po lëmë pas, keni çdo arsye për t’u ndjerë krenarë për veten tuaj. Futbolli në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta me disa arritje të jashtëzakonshme që flasin shumë”, ka thënë ai.

Sipas tij, investimet e mençura në infrastrukturën e futbollit po japin rezultate, ashtu si puna e palodhur, vizioni i qartë dhe respekti për futbollin dhe vlerat e tij thelbësore.

“Kombëtarja shqiptare bëri një fushatë të jashtëzakonshme kualifikuese për në Euro, duke u renditur në krye të grupit përpara Polonisë dhe Republikës Çeke. Dua të përgëzoj ekipin për gjithë punën e mirë dhe që i bëri tifozët e tyre shumë krenarë”.

Po ashtu ka shtuar se është gjithashtu i kënaqur të shohë rritjen e vazhdueshme të futbollit të vajzave, rezultatet solide si në nivel klubesh ashtu edhe me ekipet kombëtare.

“Nuk kam asnjë dyshim se turneu Euro U-17 në vitin 2025 do të jetë shumë i suksesshëm, ashtu siç ishte finalja e Ligës së Konferencës në vitin 2022”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore