Lajme

Presidenti i ri i Iranit s’do të takohet me Joe Biden


Presidenti i zgjedhur i Iran-it, Ebrahim Raisi ka deklaruar se nuk është i gatshëm të takojë Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Këtë koment, Raisi e bëri të hënën e 21 qershorit në një konferencë shtypi me gazetarët. Kur u pyet rreth takimit me Biden, Ebrahim Raisi u përgjigj me një ‘jo’ të prerë.

Konkurrenti i Raisi-t në zgjedhjet e fundit, Abdolnasser Hemmati, u shpreh pozitivisht ndaj takimit me Biden.

Raisi e quajti veten “një mbrojtës i të drejtave të njeriut” pasi u përmend përfshirja e tij në ekzekutimet masive të vitit 1988 të rreth 5 mijë njerëzve.

Ai ishte pjesë e një paneli të ashtuquajtur “vdekjeje”, që dënoi të burgosurit politikë me vdekje në fund të luftës Iran-Irak të viteve 1980.

Kush është Ebrahim Raisi?

Ebhraim Raisi, 60 vjeç, ishte kreu i gjyqësorit të Iran-it, një nga pozicionet më të fuqishme të qeverisë iraniane, para se të zgjedhej president.

Ai garoi në zgjedhjet e fundit presidenciale të Iran-it në vitin 2017, duke humbur ndaj Presidentit Hassan Rouhani, i cili siguroi një mandat të dytë katër-vjeçar.

Raisi shihej si kandidati i zgjedhur i udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Njësoj si Khamenei, ai lindi në qytetin Mashhad në Iran-in verilindor.

Ai është një klerik ultra-konservator, megjithëse nuk e mban statusin e ‘ajatollahut’. Kjo e fundit, është grada më e lartë për klerikët shiitë.

Raisi pretendon se ka një prejardhje që e lidh me profetin Muhamed. Për këtë arsye, ai vendos një çallmë të zezë në kokë.

Për shumë iranianë, figura e Raisi-t lidhet me një seri të përgjakshme gjyqesh dhe ekzekutimesh politike në vitin 1988 pas përfundimit të luftës Iran-Irak.

Asokohe, Raisi punonte si gjyqtar në gjykatën revolucionare të Teheranit. Gjykata po bënte një spastrim të kundërshtarëve të Republikës Islamike, e cila mori pushtetin në zhvillimet e revolucionit të vitit 1979 në Iran.

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se Raisi është i përfshirë në vdekjen e mijëra njerëzve. Për disa votues konservatorë, kjo histori shton ndikimin e tij politik.

Në vitet e fundit, Khamenei e ka emëruar Raisi-n në pozicione që e kanë lartësuar figurën e tij në Iran.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore