Lajme

Presidenti i Bullgarisë: Marrëveshja Kosovë-Serbi e rëndësisë kyçe për sigurinë e rajonit


Rumen Radev

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka thënë se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është me rëndësi kyçe për sigurinë e rajonit.

Këto komente, Radev i ka bërë në një konferencë të përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku theksoi se në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, Kosova nuk duhet që të lihet anash.

“Në këtë kontekst të ndërlikuar gjeopolitik, kur flasim për integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor në BE, nuk mund t’i lejojmë vetës që të lëmë Kosovën në plan të dytë, aq më tepër në fushën e sigurisë”, tha Radev.

“Arritje e marrëveshjes së tërësishme për neutralizimin e tensioneve midis Beogradit dhe Prishtinës është më rëndësi kyçe për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit tonë, veçanërisht në kontekstin e ndërlikuar gjeopolitik që ndodhemi”, shtoi ai.

Bullgaria, theksoi presidenti bullgar, “do të mbetet gjithmonë e angazhuar për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, sepse kjo siguri dhe stabilitet janë më rëndësi kyçe, jo vetëm të Ballkanit, por edhe të gjithë Bashkimit Evropian”.

I pyetur për letrën që Serbia u ka dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, përmes së cilës iu ka treguar se nuk do ta zbatojë në tërësinë e saj Marrëveshjen Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), ka thënë se Beogradi zyrtar s’duhet të harrojë që është në proces integrues në BE dhe kjo mund të ndikojë varësisht nga sjellja e saj me Kosovën.

“Mos të harrojmë që Serbia është në proces bisedimi me BE për anëtarësim dhe ky është instrument i fuqishëm për rregullimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Serbisë. Ne këmbëngulim për dialog si mënyrë e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, kjo është e vetmja rrugë. Përjashtojmë provokimet e armatosura dhe dhunën. Shprehim shqetësim për situatën në veri të Kosovës”, deklaroi presidenti bullgar.

Jashtë kësaj, kreu i Bullgarisë kërkoi që bullgarët që jetojnë në Kosovë të njihen si komunitet pakicë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore