Shqipëria

Presidenti Begaj takon Biden-in: “Miq dhe partnerë të bashkuar nga një aleancë vlerash”


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar të enjten e 21 shtatorit në New York të SHBA-ve një takim me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden.

“Miq dhe partnerë të bashkuar nga një aleancë vlerash”, shkruan kreu i shtetit ndërsa ka publikuar një foto familjare me dy çiftet presidenciale.

Presidenti shqiptar gjendet në New York për të kryesuar delegacionin shtetëror shqiptar në punimet e Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria, në këtë ngjarje ndër më madhoret për diplomacinë e vendit, mban edhe pozitën e Presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Së bashku me kryetarët e shteteve/qeverive të të 193 vendeve anëtare të OKB-së, presidenti Begaj pritet të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më herët, Begaj priti në një takim të dërguarin e posaçëm të Amerikës në Ballkan, Gabriel Escobar, ku është ravijëzuar roli i Shqipërisë në stabilitetin rajonal.

“Shqipëria mbetet një aleat i fortë dhe i besueshëm i SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, duke kontribuar aktivisht në sigurinë dhe stabilitetin rajonal”, shkruante ai. “Partneriteti ynë strategjik është i rrënjosur në angazhimin tonë të përbashkët për paqen, demokracinë dhe prosperitetin e ndërsjellë”.

Po ashtu, presidenti shtoi se situata në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, si edhe proceset integruese të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të rëndësishëm në bashkëbisedim.

Ai i përcolli falënderimet për dedikimin e Presidentit Biden dhe administratës së SHBA-ve për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në rajon, duke vlerësuar si thelbësor, rolin e SHBA-ve për rajonin tonë.

Në takim u vu theksi tek domosdoshmëria e uljes së tensioneve në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve.

Nga ana tjetër, ditën e djeshme, kreu i shtetit zhvilloi një takim edhe me gjashtë presidentët e rajonit, të thirrur prej kryediplomatit evropian, Josep Borrell.

“Falënderova Josep Borrell për mbështetjen e aspiratave të Shqipërisë drejt BE-së dhe fokusimin në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Begaj në X. “Kjo është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe evropian”.

Po ashtu, ai u shpreh shpresëplotë për pasjen sa më shpejt, të rezultateve të prekshme dhe konkrete në proceset integruese në hapjen e grup-kapitujve themelorë nëpërmjet konferencës së dytë ndërqeveritare dhe siguroi se Shqipëria do të vijojë me vendosmëri procesin e reformave të brendshme.

Në takim, Presidenti i Republikës dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së diskutuan mbi situatën në Kosovë, duke ritheksuar se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe të mbështetur nga SHBA, është e vetmja rrugë për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu është gjithashtu rruga e domosdoshme për integrimin e Kosovës në BE.

Bashkëbiseduesit vlerësuan me rëndësi që palët të punojnë së bashku për hapat e tjerë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur mes dy vendeve në shkurt dhe mars 2023, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në takimet e ardhshme për dialogun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore