Shqipëria

Presidenti Begaj shkëmben mendime për dialogun Kosovë-Serbi me kryediplomatin turk Hakan Fidan


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një takim të mërkurën e 28 qershorit me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

Kjo, në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore.

Kujtojmë që, në nëntor të këtij viti Turqia pritet të marrë komandën e KFOR-it në Kosovë.

Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe te zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin personal të Presidentit Erdogan në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë rajon.

“Në mënyrë të veçantë u shkëmbyen mendime edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për nevojën e vijimit të këtij dialogu, në shërbim jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit në tërësi”, thekson reagimi i institucionit të kreut të shtetit.

Pasi e uroi për marrjen e detyrës së Ministrit të Jashtëm të një vendi mik, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit e të partneritetit strategjik midis dy vendeve.

Kreu i shtetit shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Më 5 qershor, një batalion komando turk i kërkuar nga NATO mbërriti në Kosovë për të ndihmuar në shuarjen e trazirave të dhunshme.

Rreth 500 anëtarë të brigadës së 65-të të këmbësorisë së mekanizuar të Turqisë përbënin pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s.

Batalioni turk fillimisht u vendos në kampin Sultan Murat në Prizren dhe do të qëndrojë në Kosovë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha NATO.

Hakan Fidan – Top diplomati i ri turk i lidhur me Shqipërinë dhe ish-shef i spiunazhit, që rregulloi raportet me Izraelit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore