Presidenca i reagon Kurtit: Trajtimi i incidentit të Osmanit është për keqardhje – s’duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike
Presidenca e Kosovës, ka reaguar në lidhje me mënyrën se si është trajtuar incidenti ndaj Kosovës në konferencën për media që është mbajtur në Shkup të hënën nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti.
Sipas presidencës, deklaratat e dhëna në këtë konferencë për incidentin e Osmanit në Aeroportin e Shkupit janë për “keqardhje” dhe i kontribuojnë edhe më shumë “propagandës kundër Kosovës”.
“Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”.
“Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”.
Madje sipas presidecës, për hetimet rreth incidentit të Osmanit që ka pasur në Aeroportin e Shkupit, nuk duhen hetime shtesë siç kërkuan Kurti e Mickoski.
“Për këtë as nuk duhen raporte e hetime shtesë për ndonjë gjendje faktike, sepse ato janë komplet jorelevante para pranimit publik te institucioneve të Maqedonisë së Veriut se një rregull i tillë është imponuar qëllimshëm, pavarësisht kërkesave të qarta të së drejtës ndërkombëtare”.
Ndërsa, është theksuar se asnjë nga temat që është ngritur në notën protestë s’është trajtuar.
“Përderisa e vlerësojmë shprehjen e keqardhjes nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, për fat të keq deri tani në asnjë moment institucionet e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë trajtuar çështjet e ngritura në notën e protestës që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare zakonore në raport me Republikën e Kosovës, por përkundrazi, hapur e pa asnjë hezitim e kanë pranuar një shkelje të tillë”.
Po ashtu është theksuar se ky rast do të trajtohej nga presidenca vetëm në “mënyrë ndërinstitucionale”, por që për të njëjtin filloi propagandë dhe u detyruan të reagojnë.
“Presidenca e Republikës e ka trajtuar këtë incident vetëm në mënyrë ndërinstitucionale e pa e bërë publike, me qëllim të ruajtjes së raporteve ndërmjet dy shteteve, deri në momentin kur një propagandë e përmasave të papara ka filluar kundër Presidentes, me ç’rast Presidenca është detyruar t’i përgjigjet interesimit të shumtë të mediave”.
Çka thanë Kurti e Mickoski në konferencë për media?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka folur për incidentin që pati presidentja Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit ditë më parë, kur ajo refuzoi të kalonte çantën dhe telefonin e saj nëpër skanerin për verifikim në pjesën VIP të aeroportit.
Mickoski ka deklaruar se i vjen keq për çfarë ka ndodhur, megjithatë, tha se Osmanit i është kërkuar një procedurë standarde nëpër të cilën kalon secili zyrtar, madje edhe ai vetë e po ashtu edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut.
Mickoski tha se me Kurtin “i hapëm edhe temat që për dy shtetet në nivel politik janë të rëndësishme, veçanërisht ngjarja e fundit që ndodhi me 2 gusht me presidenten e Kosovës”.
“Nga të pranishmit në vendin e ngjarjes u nënvizua se sipas informacioneve që i kemi nga zyrtarët, është se u ndoqën standardet e qarta dhe procedurat ndërkombëtare dhe në këtyre procedurave u nënshtrohem edhe unë e edhe presidentja e Maqedonisë dhe të gjithë personat zyrtarë që kalojnë pjesën VIP”, deklaroi Micoski.
Duke shtuar se megjithatë ai s’ka shumë informacione vetë për atë pjesë të aeroportit, pasi “unë nuk e përdor atë pjesë, por kaloj si çdo qytetar i rëndomtë”.
Gjithsesi, “na vjen keq dhe nuk dua të përsëritet”.
Ndryshe nga Presidenca e Kosovës që e kishte vlerësuar incidentin e presidentes Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit më 2 gusht si “provokim”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rasti nuk ishte provokim duke thënë se duhet të presin zbardhjen e ngjarjes nga institucionet kompetente.
Madje, Kurti u shpreh se as nuk është i informuar se rasti i Osmanit nga ndonjë institucion është vlerësuar si “provokim”.
“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës kësi qëndrime, mund ta ketë thënë ndokush tjetër por jo institucionet e Kosovës. MPJD ka dhënë qëndrimin e saj besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin e situatës”.
“Le të zbardhet rasti janë organet përkatëse që e bëjnë këtë”, ka thënë Kurti në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ndërsa, nga Presidenca të premten kanë deklaruar se “situata e djeshme në Aeroportin e Shkupit nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Nga Kurti s’kishte pasur asnjë reagim për incidentin e Osmanit më 2 gusht, kur u pyet nga gazetarët lidhur me këtë rast kreu i ekzekutivit ka vlerësuar se ka qenë përvojë e rëndë e Osmanit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Abdixhiku: Kur elektorati rugovist bëhet një, s’ka asgjë që na ndalë
-
Limaj: Po t’i jepet mundësia, Vuçiç do ta përsëriste Banjën
-
Rrëfimi i ushtarëve të KFOR-it: Një shkëndijë e vogël mund të prishë gjithçka, duhet të jesh shumë i shpejtë në reagim
-
Specialja i largon 11 dëshmitarë dhe shtatë të tjerë dëshmojnë me shkrim ndaj ish krerëve të UÇK-së
Lajmet kryesore
-
Mandati i Xhaçkës ‘mollë sherri’ në Konferencën e Kryetarëve
-
Konkurs ndërkombëtar për ndërtimin e godinave të reja për administratën, Rama: Na duhet një kompleks qeveritar
-
Ursula von der Leyen prezanton ekipin e saj të ri në Komisionin Evropian
-
Digjet një shtëpi në Veri e ndërtuar nga Qeveria, Krasniqi: Sulm i nxitur nga Vuçiçi