Këshilltari për media në Zyrën e Presidentes, Bekim Kupina, i ka reaguar nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pas deklaratës së saj lidhur me vërshimet.
Çitaku, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të ketë një reagim nga presidentja lidhur me situatën aktuale në Kosovë.
Kupina përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka sqaruar se Presidenca ka qenë vazhdimisht në kontakt me institucionet për mobilizim për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet.
“Që nga dita e djeshme, Presidenca vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës”.
“Presidentja po ashtu ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi”, ka shkruar ai.
Deklaratat e nënkryetares së PDK-së ai i ka quajtur “absurde”, kurse sipas tij ndryshe nga Çitaku, presidentja Osmani “e di shumë mirë edhe kush janë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ku janë kufijtë e Republikës së Kosovës”.
“Presidentja çdo ditë punon për qytetarët e Republikës, ndaj deklaratat absurde, siç është kjo e znj.Çitaku sot, tregojnë se ka të tillë që pikërisht kur duhet të mbrohet interesi qytetar, nxiten nga interesa të ngushta me qëllim që ta sulmojnë Presidenten”.
Akomodimi dhe furnizimi me ushqim janë dy kërkesat kryesore të qytetarëve të Mitrovicës dhe Skenderajt, pas vërshimeve si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.
Sipas kryetarëve të këtyre dy komunave, situata është drejt përmirësimit, ndërsa janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të evakuuar personat të cilët kanë pësuar dëme materiale.
E dëmtuar nga vërshimet ka mbetur edhe komuna e Istogut, Klina, Peja, Gjakova dhe Podujeva.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë vizituar rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, i’u kanë dalur në ndihmë banorëve të kësaj komune.
Situatë e ngjashme ka qenë edhe në fshatin Zupç të komunës së Zubin Potokut, ku rruga është e pakalueshme për shkak të rrëshqitjes së dheut.
Aktualisht, situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore, dhe veriore të vendit, por duke pasur parasysh reshjet të cilat janë duke vazhduar aktualisht dhe ditët në vijim, mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi edhe në pjesët tjera të vendit, ka paralajmëruar Instituti Hidrometrologjik i Kosovës [IHMK].
IHMK-ja, po ashtu, shtoi se në ditët në vijim do të këtë situatë të vështirësuar hidrometrologjike.
Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.