Presidenca e Kosovës: Dedaj gënjeu për t’u viktimizuar – jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet ndaj Osmanit

SHFLETO

Vjosa Osmani

 

Armat Matoshi
06.11.2023 13:50
Loading Icons...

Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar nëpërmjet një postimi në “Facebook” lidhur me pretendimet e ish-ambasadorit kosovar në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, i cili, gjatë dëshmisë para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka thënë se presidentja Osmani e ka shkarkuar nga pozita për qëllime politike.

Dedaj, derisa ka dëshmuar në gjyqin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës (UCK) në Hagë, ka thënë se është shkarkuar “dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga e ashtuquajtura presidente” për qëllime politike, sepse sipas tij, pozitën e tij e ka zënë Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes Osmani.

“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është ‘e ashtuquajtur’, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve”.

Kupina ka theksuar se Dedaj nuk është shkarkuar për t’i hapur rrugë emërimit të bashkëshortit të presidentes Osmani, porse ai është hequr nga pozita për shkak të shkeljeve, derisa ka njoftuar se Presidenca e Kosovës është në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që Dedaj i ka bërë publikisht ndaj presidentes Osmani dhe familjes së saj.

“Së pari, presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra!”, ka shkruar Kupina në llogarinë e tij të hënën.

Ish-ambasadori kosovar në Shkup ka filluar të hënën dëshminë e tij në rastin e ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ai po merret në pyetje për rastin e ndalimit të mbi 10 deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë një vizite në fshatin Qirez në komunën e Skënderajt.