Kosova

Premtimet e Kurtit: Kryeministri dështoi ta realizojë zotimin për pushimin prindëror


Foto nga Albanian Post

Pushimi i lehonisë dhe ai prindëror në total do të jenë 12 muaj dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit, premtonte dikur Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti.

Ndonëse u zotua se do të mundësonte këtë pushim për të dy prindërit, nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë përgjatë mandatit qeverisës, i cili do të përfundojë edhe disa muaj.

Albanian Post ka dërguar pyetje në Zyrën e Kryeministrit dhe në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve lidhur me arsyet e mosmbajtjes së këtij premtimi zgjedhor, por ka munguar një përgjigje nga ta.

Për Drejtorin Ekzekutiv të Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, (institut i pavarur që promovon vlerat sociale dhe demokratike, duke u angazhuar për politika progresive në Kosovë) Visar Ymeri, ky është edhe një prej premtimeve elektorale të Vetëvendosjes dhe të Kurtit që nuk ka qenë i analizuar fare dhe aspak i përgatitur, prandaj thotë se mbeti premtim bosh meqë edhe kur janë shprehur si synime “nuk e kanë pasur ndërmend ta zbatojnë”.

“Natyrisht që një ndryshim i tillë në tregun e punës duhet analizuar mirë dhe duhen kalkuluar të gjitha efektet ekonomike e sociale të tij. Pastaj, të fillohet me zbatimin e pjesshëm për matjen e efekteve dhe të ndërmerren përmirësimet e nevojshme deri në zbatimin e plotë”, tha Ymeri për Albanian Post.

Qeveria, shton ai, nuk ka njoftuar asnjëherë që është marr me këtë çështje qoftë edhe si fazë përgatitore.

Ish-bashkëpartiaku i Kurtit konsideron se ky ndryshim është tejet i nevojshëm ngase të dy prindërit mund të kalojnë më shumë kohë me fëmijët, mund të kujdesen më shumë dhe kështu gratë nuk janë të vetme në këtë periudhë.

“Në njërën anë i liron gratë nga përgjegjësia si të vetme në përkujdesjen ndaj fëmijëve si dhe e balancon përgjegjësinë prindërore karshi detyrave të përkujdesjes ndaj fëmijëve”.

“Kështu arrihen dy qëllime madhore: në njërën anë gratë e kanë mundësinë dhe kohën e nevojshme t’i përkushtohen karrierës krahas kujdesit ndaj fëmijëve; burrat kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre në një moshë tejet delikate dhe kështu ndikohet pozitivisht aspekti i tyre emocional”, shtoi.

Ymeri vlerëson se është i vështirë realizimi i këtij zotimi, sepse “ka shumë efekte shumë dimensionale”, por kjo nuk e bën të panevojshëm apo të pamundur, shpjegon ai.

“Është dashur të përgatitet mirë. Dhe të fillohet të testohet”, tregoi ai për AP.

Qeveria Kurti, nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, shton ai, sikur nuk ka ndërmarrë asnjë hap në shumë prej premtimeve sociale të bëra në fushatë “sepse ato kërkojnë punë dhe përkushtim dhe nuk bëhen përmes frazave boshe, por përmes vendimeve të vështira”, përfundoi ai.

Premtim i radhës elektoral i pazbatuar nga të shumtë të tillë që ka, e quan deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Blerta Deliu Kodra, mos zbatimin e zotimit për pushimin prindëror dhe të lehonisë.

“Prej premtimit për çerdhe, për banesa për çifte të reja, atë të bashkimit kombëtar, mbështetje të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë deri në kthimin e trupit të fundit të pagjetur, kërkim falja e Serbisë e shumë e shumë premtime të tjera të cilat kanë ngelur në vesh të shurdhër dhe nuk kanë arritur fare që të implementohen”, thotë Deliu-Kodra për AP.

Meqë tanimë po hyjmë në një cikël zgjedhor, sepse data e zgjedhjeve tashmë është caktuar (9 shkurt 2025), për të nuk është befasi që përgjatë këtyre muajve do të ketë prapë premtime, por edhe vendime të vona.

“Për shkak se është vit zgjedhor dhe kryeministri i partisë i cili udhëheq me vendin i mbetet që të mundohet për këto muaj sa kanë mbetur që të përmbush atë vakumin e mungesës së projekteve katër vjeçare”, ka shtuar deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Organizata joqeveritare në Kosovë Demokraci për Zhvillim (D4D), pati propozuar që pas lindjes së fëmijës të ketë pushim prindëror.

Bashkëpunëtorja e jashtme në këtë organizatë, Judita Krasniqi, ka treguar për AP se ata kanë realizuar edhe disa hulumtime ku kanë arsyetuar pse është e nevojshme te ndryshohet formula aktuale për të pasur këtë ndryshim shoqëror.

Hulumtimi për të ndryshuar pushimin e lehonisë është bërë nga praktikat më të mira, tek vendet ku ndryshimi i formulës së lehonisë ka sjellë ndryshim të pozitës së gruas në tregun e punës”, ka thënë Krasniqi.

Pushimi, konsideron ajo, “është tejet i nevojshëm”, por, megjithatë shton se “është e rëndësishme të përmendet që për gratë është më e vështirë të rikthehen në tregun e punës pas një shkëputjeje aq të gjatë”.

Prandaj, vlerëson Krasniqi që është i rëndësishëm pushimi prindëror, dhe jo ai i lehonisë, ku gratë dhe burrat marrin pjesë së bashku në kujdesin e fëmijës së tyre.

“Kjo ndihmon gratë të rikthehen në tregun e punës më shpejtë, si dhe ndihmon ndryshimin e karakterit patriarkal të familjes, ku fëmijët rriten nga nëna, dhe baballarët (edhe pse duan) nuk mund te jenë pjesë e jetës së fëmijëve të tyre për shkak të kufizimeve ligjore”, thekson.

Duke qenë se secila Qeveri e Kosovës merr besimin e popullit, rrjedhimisht të burrave dhe grave, Krasniqi konsideron se kjo është arsye e mjaftueshme që jeta e tyre duhet të përmirësohet.

“Ndryshimi i pushimit te lehonisë në pushim prindëror dhe ndryshimi i formulës së pushimit nga hulumtimet ka rezultuar që është një nga pengesat kryesore për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës”.

Prandaj, shton ajo, praktikat negative dhe ato që nuk janë frytdhënëse, “por për më tepër të dëmshme, duhet të ndryshohen nga institucionet që e kanë për detyrë dhe kompetencë ta bëjnë këtë”.

Ndërsa, për sekretarin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Enver Balaj, ky zotim nuk është menduar mirë dhe konsideron që nuk është i nevojshëm.

“Nuk është e arsyeshme, ky është shpenzim i panevojshëm dhe ai që e ka folur këtë nuk e ka menduar mirë, nuk ka menduar arsyeshëm”, thotë Balaj për AP, duke theksuar që “nëse kanë premtuar e rrugës kish qenë të dërgohet në parlament me amendament të votohet dhe mandej të përfillet ligji në praktikë”.

Ai numëron disa arsye përse vlerëson që nuk është e rëndësishme të ofrohet ky pushim për të dy prindërit.

“Besoj që çdo shtet e ka maksimumin e pushimit të lehonisë gjashtë muaj. Më tepër nuk e ka, përveç nëse nuk ka foshnja ndonjë problem shëndetësor apo ndonjë arsye tjetër familjare”.

“Kështu është me ligj e rregulluar në krejt Bashkimin Evropian. Pse prindi të pushojë një vit kur ka kopshte, ka çerdhe ka përkujdes maksimal për foshnje, shumica e kosovarëve kanë edhe përkujdes familjar”.

Pushimi prindëror, nënkupton pushim të nënave, por edhe baballarëve, pas lindjes së fëmijës, ku me ligjin aktual, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2010, babai ka të drejtë vetëm për dy ditë pushim me pagesë dhe dy javë pushim pa pagesë.

Pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj, për gjashtë muajt e parë pagesa kryhet nga punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë, 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, me kompensim 50 për qind të pagës mesatare në Kosovë, ndërkaq 3 muajt e fundit janë pa pagesë.

Ndryshe, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje ka shumë premtime të parealizuara, për një pjesë të të cilave ka raportuar Albanian Post.

Ekzekutivi iu premtoi zgjidhje përfundimtare për strehimin të moshuarve të vetmuar në Kosovë, duke u zotuar se do të ndërtonte pesë shtëpi, por që nga marrja e mandatit, asnjë themel nuk është hedhur për asnjërën nga këto shtëpi.

Një tjetër premtim, kishte qenë edhe pesëfishimi i inspektorëve të punës, mirëpo edhe ky zotim nuk është aspak afër realizimit.

Po ashtu, nuk është realizuar as premtimi për rritjen e numrit të qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor e përmirësimi teknik i qendrave ekzistuese.

Partia në pushtet, ishte zotuar se do të krijonte edhe vende të mjaftueshme për fëmijët duke i ndërtuar 160 çerdhe në Kosovë, por çerdhet e finalizuara nuk janë aspak afër numrit të premtuar.

Pastaj, nuk pati veprime as lidhur me premtimin për rritjen e qendrave dhe shërbimeve për gjendjet e caktuara si autizmi, sindromë Down e të tjera.

Edhe përmes miratimit të Ligjit për Pensionimin e Parakohshëm të zyrtarëve policorë, Kurti zotohej se zyrtarëve policorë do t’u garantohej e drejta e pensionimit të parakohshëm në moshën 55 vjeçare. Mirëpo, as kjo nuk ndodhi.

Edhe pse kanë mbetur vetëm edhe disa muaj deri në përfundimin e mandatit qeverisës, pushteti, ndonëse ishte zotuar, nuk e mbajti as premtimin elektoral për funksionalizimin e Aeroportit të Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore