Shqipëria

“Premtime të thyera dhe cinizëm”, Rama flet për “Bild” mbi BE-në


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë ekskluzive për të përditshmen gjermane “Bild”, ku theksi kryesor i qasjes së tij ka shkuar drejt “premtimeve të thyera të Bashkimit Evropian dhe cinizmit të treguar”.

Sipas “Bild”, kjo është një akuzë e hidhur ndaj taktikave të BE-së për të vonuar hapjen e negociatave.

“BE-ja ka premtime të pambajtura dhe po drejton në Ballkan ‘politika cinike’. Është si të presësh Godonë”, shkruan Rama në intervistën e tij ekskluzive për “Bild”.

Gjithsesi, për kryeministrin shqiptar, kjo – anëtarësimi në BE – është një ambicie e kahershme e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Qytetarët e dy vendeve duhet të përftojnë nga tregu i lirë dhe pjesëmarrja në këtë demokraci të madhe sipas Ramës.

“Më lejoni të bëj të qartë diçka. Si kryeministër i Shqipërisë, jam i vetëdijshëm se Ballkani nuk është ende gati për t’iu bashkuar BE-së. Ka shumë kërkesa që duhet të marrim parasysh për t’u anëtarësuar. Por, duhet menduar po ashtu edhe fakti se dy vendet kanë bërë gjithçka duhet për të hapur negociatat me Brukselin”.

Një qëndrim i konfirmuar edhe në vitin 2018 nga Këshilli Evropian, rikujton Rama.

Por, edhe pse të rekomanduar, përpjekjet e dy shteteve nuk u vlerësuan. Pyetja që duhet të shtrohet sipas tij, është e thjeshtë: Pse?

“Kur KE-ja i kërkoi Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ndërmerrte disa reforma përpara hapjes së negociatave, ne e bëmë atë gjë. Disa madje, si reforma në Drejtësi në Shqipëri, janë të paprecedente për një shtet që ende nuk ka hapur negociatat”.

Kjo tregon sipas Ramës progresin që është bërë drejt Evropës. Pikërisht kjo, është po ashtu arsyeja pse përpjekjet meritojnë një shpërblim.

Një shpërblim që u shty nga disa vende anëtare.

Problemi është i yni!

Rama rikujton në intervistë po ashtu edhe faktin se motivacioni mbi shtyrjen e negociatave, ishte atipi.

“Kur erdhi çështja te justifikimi i vendimit, nuk u tha kurrë se Shqipëria ka probleme. U tha që vetë BE-ja, ka probleme”.

Kjo, përtej probleme që kanë shqiptarët dhe maqedonasit. Por, është po kjo, arsyeja se pse dy vendet kërkojnë përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.

“Tashmë që keni dështuar në mbajtën e premtimit disa herë, duhet të përballeni me të vërtetën dhe t’i përgjigjeni disa pyetjeve kritike të shtruara”, i referohet Rama BE-së.

Tre, janë sipas tij pyetjet që duhen ngritur:

E para: A ishin arsyeja e vërtetë e shtyrjes së negociatave, reformat e zgjatura në dy vendet?

E dyta: Sa prej vendeve anëtare të BE-së kanë pasur të njëjtat kushte si ne për të hapur negociatat?

Dhe e treta: A kanë disa politikanë evropianë moralin të shkaktojnë ndasi dhe mosmarrëveshje në vendet e Ballkanit Perëndimor?

Këto janë çështje me rëndësi shumë të madhe për një vend të vogël si i yni sipas Ramës.

Por, në fund të ditës, fati i Shqipërisë sipas tij, vijon të mbetet Evropa.

“Evropa është feja jonë. Asgjë nuk do ta ndryshojë këtë fakt, sepse ky është fati ynë”, e përmbyll intervistën kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore