Sport

Premier Ligës angleze i shtohet edhe një futbollist nga Kosova


Futbollisti nga Kosova, Adrion Pajaziti, ka nënshkruar kontratë profesionale me ekipin U23 të Fulhamit.

Fulhami që militon në Premier Ligën angleze, ka prezantuar mesfushorin kosovar, i cili erdhi nga ekipi U-18, i këtij klubi.

Pajaziti është nga Kosova, ndërsa ai bashkë me familjen e tij kishte shkuar për të jetuar në Angli, gjatë luftës.

Mesfushori 18-vjeçar ka folur për stilin e tij të lojës dhe ku e sheh vetën në të ardhmen.

“Si lojtar, më pëlqen të futem në top dhe nuk kam frikë ta marr topin në asnjë pozicion. Pasimi im është një nga pjesët më të forta të mia, por më pëlqen edhe të krijoj shanse për ekipin, kështu që asistimet dhe krijimi i rasteve është një fushë tjetër e imja e fortë”, ka thënë Pajaziti për web faqen e klubit.

Ai thotë se kontrata e parë profesionale ka mundur të nënshkruhet më herët, por pandemia COVID-19 i ka ngadalësuar gjërat, por sërish ndjehet i lumtur.

“Padyshim që pandemia Covid-19 ka ndikuar në vonimin e procesit për të nënshkruar kontratën e re, por jam vërtetë i lumtur sepse kjo tregon që të gjithë puna ime dhe sakrifica e familjes sime ia kanë vlejtur deri më tani dhe unë jam duke përparuar”, shtoi ai.

Pritshmëritë për Adrionin janë të mëdha, ai e shikon vetën në një të ardhme të afërt, që të luajë për ekipin e parë të Fulham.

“Të jem i sinqertë, mendoj se hapi im i ardhshëm është të shkoj drejt Ekipit të Parë. Tani jam te U23 dhe kam luajtur mirë në këtë nivel, kështu që dua të ngjitem sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi talenti kosovar.

Drejtori i akademisë së Fulham, Huë Jennings e sheh si talent të madh dhe pret shumë nga Adroni, i cili ka të drejtë të luajë për Kosovën, Shqipërinë dhe Anglinë.

“Adrioni ka aftësi të shkëlqyera krijuese dhe po zhvillohet si një mesfushor i gjithanshëm”.

“Prindërit e tij erdhën në Mbretërinë e Bashkuar pas luftës në Kosovë dhe Adrioni ka të drejtë të luajë për Kosovën, Shqipërinë dhe Anglinë”, deklaroi ai për ueb faqen e klubit.

Kujtojmë që Adrion Pajaziti, në këtë sezon me ekipin U18 të Fulhamit, ka pasur nëntë paraqitje, në të cilat shënoi tre gola dhe dhuroi dy asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore