Shëndet

Praktika virale e bukurisë – gua sha – e rrënjosur në mjekësinë kineze


Mes të gjitha videove virale të bukurisë, gua sha është një praktikë me një histori shekullore.

Jo vetëm që ndihmon në ngritjen dhe tonifikimin e fytyrës, por gjithashtu ndihmon në kullimin limfatik dhe redukton inflamacionin.

Me origjinë nga Mjekësia Tradicionale Kineze (TCM), gua sha e fytyrës mund të gjendet në TikTok dhe gjithë mediat sociale, falë aftësive të saj transformuese.

Po ashtu ka bërë që gurët e lëmuar të përdorur për gua sha të bëhen mjete bukurie të mirëfillta, që gjenden në raftet e Sephora dhe Ulta.

Gua sha është një praktikë mjekësore tradicionale kineze që daton shekuj më parë”, ka thënë ekspertja Sandra Chiu.

Sipas saj, kjo praktikë përfshin përdorimin e një mjeti gua sha për të ‘gërvishtur’ zona të ngushta, të tensionuara ose patologjike të trupit për të hequr qelizat e vdekura.

Nga ana tjetër, kjo përmirëson qarkullimin e gjakut.

Praktika përdorej më parë për të trajtuar dhimbjet, madje edhe sëmundjet e rënda si kolera. Sot, mbetet një modalitet i rëndësishëm që praktikuesit e përdorin për të trajtuar dhimbjen dhe për të rritur funksionin imunitar.

“Është e shkëlqyer për kullimin limfatik, duke nxitur qarkullimin e gjakut, qetësimin e dhimbjeve të kokës, reduktimin e inflamacionit, shkurtimin e sëmundjeve akute si ftohjet dhe gripin dhe çlirimin e tensionit nga koka te këmbët”, ka treguar Lin Chen.

Ekziston një ndryshim midis gua sha-së mjekësore dhe gua sha-së për fytyrën. Sipas Chiu, ajo mjekësore përdoret për trajtimin e dhimbjes, sëmundjes ose çrregullimit të brendshëm dhe duhet të bëhet vetëm nga një profesionist i trajnuar dhe i licencuar.

Kurse gua sha e fytyrës, përdor një “shpejtësi shumë më të ngadaltë dhe prekje më të butë” dhe është e sigurt për njerëzit që të praktikojnë në shtëpi.

Teksa ka pasur studime për të mbështetur përfitimet e asaj mjekësore, ka ende kërkime për t’u bërë gua sha e fytyrës.

“Ekziston një numër i madh i kërkimeve dhe provave moderne që tregojnë efektet mbrojtëse anti-inflamatore dhe imune të trajtimit mjekësor gua sha”, ka thënë Chiu.

Sipas saj, ka rezultuar të jetë efektive në trajtimin e dhimbjes, si dhe çrregullimeve akute dhe kronike të organeve të brendshme.

Ndërsa për gua sha-në e fytyrës, ajo vëren se ka mungesë studimesh në perëndim.

Megjithatë, universitetet TCM në Kinë kanë kryer studime “që demonstrojnë efikasitetin e praktikave gua sha të fytyrës në trajtimin e shqetësimeve kundër plakjes”.

Gua sha e fytyrës mund të ndihmojë në zbutjen e fytyrës, të rrisë qarkullimin e gjakut, të çlirojë tensionin, të lehtësojë dhimbjet e kokës dhe madje të ndihmojë në zbutjen e sinuseve të bllokuara.

Përfitimet më të spikatura të bukurisë janë bërë virale në TikTok, duke treguar transformime ku fytyrat e njerëzve duken më të konturuara dhe të ngritura.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore