Sport

Praga, misioni i radhës kuqezi drejt Euro 2024


Kombëtarja e Shqipërisë do të vijojë misionin e saj në kualifikueset e Kampionatit Evropian, Euro 2024, që do të zhvillohet në Gjermani, këtë të enjte. Kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Çekisë, në “Fortuna Arena”, duke filluar nga ora 20:45.

Dueli mes Çekisë dhe Shqipërisë do të ketë një peshë të madhe në synimin kuqezi drejt finaleve të Euro 2024. Pas dy fitoreve të fundit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, skuadra e drejtuar nga Sylvinho do të këtë përballë një pengesë të fortë për të kaluar.

Çekët aktualisht janë kryesues të grupit pas tre ndeshjeve të para. Ata kanë grumbulluar 7 pikë. Shqipëria renditet e dyta me 6 pikë. Moldavia ka 5 pikë. Polonia 3 pikë. Dhe, Ishujt Faroe 1 pikë.

Kujtojmë që pas përballjes me Çekinë, Shqipëria do të presë Poloninë tri ditë më vonë në “Air Albania”. Në duelin e parë ishin polakët që triumfuan 1-0.

Përballjet e kaluar mes dy ekipeve

Shqipëria dhe Çekia janë përballur vetëm një herë më parë në historinë e tyre. Në ndeshjen miqësore të 8 qershorit 2021, ku çekët triumfuan 3-1. Për ta realizonin Patrik Schick, Lukas Masopust dhe Ondrej Celustka. Asnjë i ftuar për ndeshjen e sotme.

Sokol Cikalleshi shënonte për kuqezinjtë asokohe. Dhe, sulmuesi kavajas pritet të jetë përsëri në krye të formacionit kuqezi për përballjen e kësaj të enjteje.

Një britanik mban drejtësinë

Drejtësinë e takimit do e mbajë arbitri i Premier League, Anthony Taylor, një prej “bilbilave” më të njohur dhe më të mirë në Evropë.

44-vjeçari nga Mançesteri është arbitër i FIFA-s që nga viti 2013. Teksa ka filluar të arbitrojë në Premier League që nga viti 2010.

Ai është i njohur gjithashtu për drejtimin e disa ndeshjeve finale, si ajo e Europa League 2023, Nations League 2021 dhe Superkupa UEFA 2020.

Taylor do të ndihmohet nga bashkëatdhetarët e tij Gary Beswick dhe Lee Betts. Craig Pawson do të jetë gjyqtari i katërt. Darren England do të jetë kryesori në dhomën e VAR-it, ndërsa Michael Salisbury është vendosur si ndihmësi i tij.

Çfarë thonë trajnerët?

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho tha për mediat në konferencën për shtyp të së mërkurës se e kishte analizuar lojën e Çekisë dhe e ka motivuar grupin për të arritur një rezultat pozitiv.

“Kam parë shtatë ndeshje të Çekisë. Kemi analizuar Çekinë, kemi parë thuajse të gjitha ndeshjet si staf dhe momentet kryesore. Janë ekip shumë i organizuar, vlerësoj dhe trajnerin e tyre që është me Çekinë që prej 2008”, tha braziliani.

“Lojtarët çekë janë shumë të fortë, sidomos në aspektin fizik, të gjatë. Mund të mbërrijnë në zonën kundërshtare me 4-5 lojtarë dhe janë shumë të rrezikshëm. Edhe në mbrojtje. Janë shumë të organizuar”.

“Kemi punuar fort duke analizuar kundërshtarin dhe përgatitur në mënyrën më të mirë. Ka qënë një kohë e pakët ku kemi menaxhuar skuadrën në nivel individual dhe si grup ku kemi ndarë informacion”.

“Motivimi është i lartë dhe duhet të them se nesër (sot, e enjte 7 shtator) është një ndeshje e vështirë, djemtë e dinë këtë dhe ata janë mësuar të luajnë në të tilla ndeshje”, shtoi trajneri kuqezi.

Jaroslav Silhavy, trajneri i Çekisë ka vlerësuar punën e bërë nga Sylvinho te Shqipëria dhe ka vlerësuar kombëtaren kuqezi në tërësi.

“Nëse ndokush ka nënvlerësuar skuadrën e tyre, ata me siguri nuk jemi ne. Është një ekip shumë i vështirë, me një numër të lartë individualitetesh të mirë. Lojtarët e grumbulluar luajnë në kampionate të njohura perëndimore. Shumë prej tyre luajnë në Serie A, kjo e bën të qartë që ata nuk kanë lojtarë të dobët”, tha Silhavy.

“Një trajner i ri erdhi në fillimin e vitit, organizimi i lojës, koncepti i tyre u përmirësua. Ata dalin shpejt para, janë shumë të rrezikshëm në fazën e tranzicionit, gjuajnë shpejt. Natyra e tyre është të dalin para, duan të shënojnë gola”.

“Do të duhet të jemi të vëmendshëm dhe të përqendruar sa më shumë të jetë e mundur gjatë ndeshjes. Një gabim mund ta vendosë këtë ndeshje. Padyshim, numrat janë të qartë. Nëse ne fitojmë nesër, do të bënim përpara. Por asgjë nuk do të ishte e mbyllur”, tha trajneri çek.

Formacionet e mundshme

Vendasit e drejtuar nga Silhavy pritet të luajnë me formacionin 4-2-3-1: Jiri Pavlenka; David Jurasek, Ledislav Krejci, Tomas Holes, Vladimir Coufal; Alex Kral, Tomas Soucek; Vaclav Jurecka, Adam Hlozek, Vaclav Cerny; Jan Kuchta.

Në krahun tjetër, Sylvinho pritet të rreshtojë kuqezinjtë me skemën 4-1-4-1: Etrit Berisha; Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj; Klaus Gjasula; Myrto Uzuni, Ylber Ramadani, Nedim Bajrami, Jasir Asani; Sokol Cikalleshi.

Ndeshjet e tjera kualifikuese të ditës

Përveç duelit Çeki – Shqiperi, kualifikueset e Euro 2024 do të vijnë edhe me tetë sfida të tjera.

Në Grupin E, ku bëjnë pjesë kuqezinjtë do të jetë përballja mes Polonisë dhe Ishujve Faroe. Polakët duan të rikthehen te fitorja pas asaj humbjeje gati turpëruese me përmbysje nga Moldavia në takimin e fundit (0-2, 3-2).

Në Grupin B, Franca do të presë Iralandën, ndërsa Holanda ndeshet me Greqinë. Në Grupin G, Lituania përballet me Malin e Zi dhe Serbia ndeshet me Hungarinë. Në Grupin H, Kazakistani pret Finlandën, Danimarka San Marionin dhe Sllovenia përballet me Irlandën e Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore