
Ngritja e Graham Potter nga kategoria e katërt suedeze në një nga klubet më të rëndësishme në futboll është një histori e denjë për një libër apo film.
Anglezi 47-vjeçar, filloi karrierën me Ostersund më pak se 12 vjet më parë, teksa u bë trajneri i ri i Chelsea-t të mërkurën, pas vendimit të Bluve për të larguar Thomas Tuchel.
Realisht, pronari i Chelsea-t, Todd Boehly, mund të kishte zgjedhur çdo emër të profilit të lartë për vendin e lirë në “Stamford Bridge”. Por, siç dihet tashmë nuk e bëri.
Chelsea Football Club is delighted to welcome Graham Potter as our new Head Coach! 🤝
— Chelsea FC (@ChelseaFC) September 8, 2022
Boehly beson te Potter. Madje gjatë prezantimit e quajti atë një “trajner të dëshmuar dhe novator në Premier League që i përshtatet vizionit tonë për klubin”.
Tekniku ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me 12 milionë paund në sezon. Duke u bërë kështu menjëherë trajneri i katërt më i paguar në Premier League.
Por, Potter gjithashtu u bë dhe trajneri më i shtrenjtë në historinë e futbollit.
Sipas “Transfermarkt”, Chelsea-t iu desh të paguante 20 milionë paund ose 23 milionë euro për të bindur Brighton-in që të linte të lirë trajnerin.
Dhe pikërisht kjo shumë e ka ngjitur 47-vjeçarin në krye të listës si trajneri më i shtrenjtë në historinë e këtij sporti.
Pas tij vijnë dy emra të njohur. Julian Nagelsmann i cili i kushtoi Bayern Munich-ut 20 milionë euro për ta marrë nga Leipzig, si dhe Jose Mourinho, që kaloi nga Inter-i te Real Madrid për 16 milionë euro.
Chelsea ka gjithashtu dhe trajnerin e katërt më të shtrenjtë në histori. Bëhet fjalë për Andre Villas-Boas, i cili mbërriti nga Porto për 15 milionë euro.
Tani mbetet për t’u parë nëse investimi i madh i Chelsea-t me Potter do të jetë një veprim i mençur apo do të rezultojë dështim.
Debutimi i Potter me Blutë pritet të jetë këtë të mërkurë, ku ata do të përballen me Salzburg në Champions League. Ndeshja do të luhet në “Stamford Bridge”, duke filluar nga ora 21:00.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com