Kosova

Posta e Kosovës me probleme financiare, viti 2020 me 2 milionë euro më pak të inkasuara


Ushtruesja e detyrës së kryeshefes Ekzekutive të Postës së Kosovës, Fakete Kadiu

2 milionë euro më pak i ka inkasuar Posta e Kosovës në vitin 2020, ose 14 për qind më pak, bazuar në pasqyrat financiare.

Ushtruesja e Detyrës së kryshefes Ekzekutive të Postës së Kosovës, Fakete Kadiu, ka thënë se në këtë periudhë kanë punuar me staf esencial shkaku i pandemisë COVID-19.

“Sa i përket pasqyrave financiare të vitit 2020, sikurse edhe plot ndërmarrje tjera edhe Posta e Kosovës ka operuar me një rezultat financiar minus 14 për qind, ku kemi funksionuar me staf esencial për shkak të pandemisë. Rënie në të hyrave kemi afro 2 milionë euro”, tha Kadiu gjatë një konference me gazetarë.

Gjithashtu pagat e punëtorëve, tha Kadiu, paraqesin sfidë për këtë ndërmarrje publike, e cila është duke performuar me humbje.

“Ne ballafaqohemi me alokim të pagave për punëtorët, ku në kategorinë e pagave i kemi 80 për qind të të hyrave, kemi edhe problem me pagesat e operatorëve ekonomik të cilët na furnizojnë me materiale të domosdoshme të operimit”.

“Por kemi edhe pamundësinë e inkasimit universal postar për të cilën gjë jemi duke e diskutuar me ministrinë të linjës, sesi të gjendet zgjidhja për mbulimin e shpenzimeve të cilët nuk janë kompensuar që nga viti 2012”, tha Kadiu.

Ajo gjithashtu tha se aktualisht Posta e Kosovës, në tre muajt e fundit ka pasur 92 për qind realizimin e të hyrave me një ulje prej 18 për qind të shpenzimeve operative.

Ndërkaq, më gjashtë nëntor, Albanian Post kishte raportuar që Postës së Kosovës, i janë plaçkitur 40 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore