Euro 2024

Portugalia shpëton fytyrën falë gabimeve të Çekisë


Portugalia ka arritur një fitore tepër të vuajtur kundër Republikës Çeke, pasi ka kthyer rezultatin e ndeshjes, teksa ndodhej në disavantazh 0 me 1 në pjesën e dytë.

Dy gabime trashanike të mbrojtës çeke i dhanë fitoren Portugalisë, e cila për të qenë të drejtë dominoi gjithë takimin me lojë, por pa arritur të jetë shumë efektive brenda zonës.

Cristiano Ronaldo dhe të tijët bënë gjithçka mirë në 45 minutat e para të ndeshjes. Megjithatë, një gol nuk e shënjoi lojën, ku kjo është edhe ndeshja e parë e kampionatit, pjesa e parë e të cilës u mbyll pa gola.

Portugezët tentuan me 46 sulme, nëntë goditje, dhe tetë goditje këndi, në çdo mënyrë, por nuk arritën të merrnin avantazhin.

Çekët nga ana tjetër duken të blinduar në mbrojtje dhe shumë solidë edhe në lojën pa top, ku janë të vendosur në mënyrë të shkëlqyer dhe nuk i kanë lejuar portugezët që të krijojnë raste shumë të rrezikshme drejt portës.

Pjesa e dytë gjithsesi ndryshoi gjithçka dhe jo për mirë fillimisht për portugezët, pasi u shtangën nga një gol i bukur i Provod nga jashtë zone.

Gjithë loja e portugezëve u kthye përmbys dhe kjo detyroi trajnerin të kryente zëvendësime për të ndryshuar rrjedhën e lojës.

Shtatë minuta më vonë, një gafë e Hranac bëri që topi të ndalej në rrjetën e çekëve dhe ai të shënonte një autogol fatkeq dhe të padëshiruar, duke e çuar ndeshjen në barazim.

Mes sulmesh të shumta dhe vuajtjesh në lojë Portugalia arriti ta gjente rrugën e rrjetës, por goli u anulua si i pavlefshëm, për një pozicion jashtë loje të Cristiano Ronaldos. Milimetrik duhet thënë dhe i evidentuar vetëm nga sistemi VAR.

Minuta e 92-ë do të ishte përcaktuesja, pasi mundi i Portugalisë u shpërblye me një gol nga Francisco Conceincao, i cili përfitoi nga një gafë tjetër e mbrojtjes çeke, për të çuar topin në rrjetë dhe për të dërguar në qiellin e shtatë tifozët portugezë, si edhe në bashkëkryesim të grupit me Turqinë ekipin e tij.

Conceincao ishte futur në fushë vetëm në minutën e 90-ë, duke u kthyer kështu në një “golden boy” për Portugalinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore