Përballje

Portugalia shënon fitore të thellë ndaj Luksemburgut, Italia rikthehet te fitorja


Portugalia ka shënuar fitore të thellë me rezultat 0:5 në udhëtim te Luksemburgu, në ndeshjen e dytë kualifikuese të Kampionatit Evropian, Euro 2024.

Cristiano Ronaldo ishte protagonist i portugezëve në këtë ndeshje duke shënuar dy gola.

Ishte pikërisht ish-ylli i Real Madrid-it që zhbllokoi sfidën, kur në minutën e nëntë realizoi me lehtësi pas asistimit të Nuno Mendes.

Dy golat e tjerë u shënuan nga Joao Felix dhe Bernardo Silva në minutën e 15-të dhe të 18-të.

Derisa goli i katërt u shënua nga Ronaldo në minutën e 31-të, gol ky që ia solli edhe një rekord portugezit.

Ai tani numëron 10 gola nga 11 ndeshje me Luksemburgu dhe bëhet shteti i parë ndaj të cilit Ronaldo shënon mbi 10 gola.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të katër golave të mysafirëve, derisa në të dytën u shënuan edhe dy të tjerë.

Rafael Leao dhe Otavio ishin dy futbollistët që u inkuadruan në lojë në minutën e 75-të dhe ky i fundit shënoi vetëm pas dy minutave, i cili u asistua nga ylli i Milan-it.

Ndërkohë, Leao fillimisht humbi një penallti në minutën e 85-të, pastaj katër minuta më vonë e shënoi golin e gjashtë pas asistimit të Ruben Neves.

Kjo ishte fitorja e dytë e Portugalisë, derisa ata mbajnë vendin e parë në Grupin J me gjashtë pikë, me një golaverazh prej 10 me 0.

Ndërkaq, Italia është rikthyer te fitorja pas humbjes ndaj Anglisë, duke e mposhtur në udhëtim Maltën me rezultat 0:2.

Mateo Retegui e shënoi golin hapës të sfidës në minutën e 15-të i asistuar nga Sandro Tonali, i cili ishte goli i dytë me fanellën e Italisë në po kaq paraqitje.

Ndërsa golin e dytë e shënoi Matteo Pessina në minutën e 27-të, që po ashtu u asistua nga Tonali.

U duk që do të ishte një fitore më e thellë e italianëve, por çuditërisht gola më nuk pati deri në fundin e takimit.

Me këtë sukses, Italia tani qëndron pas Anglisë në vendin e dytë, ndërsa po aq pikë ka edhe Ukraina e vendit të tretë, por me një ndeshje më pak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore