Shqipëria

Portretet e vijëzuara në letër


Lapsi, e bardha letër dhe… dhuntia.

Çka duhet për të jetësuar vijëzimet dhe nuancat e lehta përmbi portretit.

Ama, të mjaftueshme nuk janë. Duhet edhe përkushtim, patundshmëri dhe shtysë e jashtme.

Të gjitha, të pandara, për t’i dhënë artistit forcën që i duhet për të mos u ndalur. Edhe nëse lodhet e hamendëson se më s’mundet.

E kur kjo forcë mbrujtët që në vogëli, i lihet të flasë veç punimeve vetë.

Me artin përkrah

“E kam ushtruar artin që sa kam mundur ta ushtrojë atë.”

Me fjalët e saj, kjo është lidhja e fortë e të resë Viola Merkohasani me realizimin e portreteve.

Tre të katërtat e 18 viteve të saj kanë qenë të afruara ngushtë me artin. Asnjëherë shkëputur prej tij.

“Mbase se e dashuroj të bukurën, estetiken, pastërtinë dhe natyralitetin që shfaqin tiparet njerëzore”, ka justifikuar ajo.

Ndjesi që s’ka ardhur ashtu rastësisht për të. Përkundrazi, kultivim i përhershëm, prej vogëlisë, i nuancave artiste.

Artistja ka rrëfyer për Albanian Post se:

“E gjitha ka nisur në një moshë tepër të vogël, që kur mësova të kuptoj përdorimin e ngjyrave, lapsave dhe materialeve të punimeve artistike.

Prej asokohe, nisa të vizatoj.

Nuk mund të them se kanë qenë piktura apo vizatime të arritura në vizionin tim, por për moshën që kisha, kuptohej lehtazi se talenti qëndronte. Thjesht duhej praktika e pandalshme dhe e vazhdueshme.”

Ngjashëm si me çdo talent tjetër, domosdoshmëria e një përkrahjeje dhe mbështetje të jashtme, nuk ndihet e tepërt. Por fuqidhënëse.

Edhe për Merkohasanin, një shtysë e kësaj natyre ka qenë vendosmëria e së ëmës së saj për të mos u larguar dhe mos u ftohur me lapsin që pret të marrë jetë në letër.

“I jam falënderuese mamasë. Gjithnjë e përkushtuar dhe pa lodhje për vizatimet e mia. Vëmendje e shfaqur edhe te blerja e mjeteve dhe investimit të saj që t’i mëshoja talentit prej vogëlisë”, ka veçuar e reja.

Dhe se kjo është fryt edhe i shprehjeve më modeste të thëna prej saj si: “Mos devijo nga vija…mbaje lapsin drejt!”, e të tjera si këto që e kanë shoqëruar të bijën përgjatë viteve të shkollimit.

Jo më pak kontribut kanë edhe kritikat.

“Kritikat e saj ndaj punimeve që realizoja, më kanë bërë të jem edhe më shumë kritike nga ajo për çka vizatoj, pikturoj e më pas postoj në mediat sociale”, ka treguar Merkohasani.

Rrugëtimi i saj ka nisur me vizatime të thjeshta, bazike, të frymëzuara nga objektet e ndodhura aty-këtu. Çdo gjë që i pëlqente, e brendësonte  dhe rishtazi, e hidhte në letër.

Pikërisht kjo, ishte ndjesia që i tregonte se pasioni për të vizatuar ishte shumë më i lartë se shumëçka tjetër.

Madje…

“Në fillime, kuptohet, nuk ka qenë si tani, por me përkushtim dhe praktikë, nisi rrugëtimi.

Në moshën 14-vjeçare kuptova se e kisha idenë e proporcioneve të fytyrës dhe fillova ta praktikoja. Edhe pse portreti i parë i realizuar nuk i arrinte thuajse aspak pritshmëritë, paçka se dukej në rregull.

Kurse dy vite më vonë, nisa t’i kënaq këto pritshmëri.

Kjo paçka se gjithnjë do të jem në kundërshtim me lapsin për shkak se gjithnjë kërkoj më tepër.”

Megjithatë, çka ka arritur deri më tani artistja e re, është bindja për t’i thënë vetes se: “Mendoj se di të vizatoj”.

Njerëzve rreth e rrotull, të cilët mendojnë se Merkohasani punon shumë shpejt, ajo u përgjigjet se koha varet nga disponimi dhe komplikimet e imazhit.

“Koha e realizimit të portreteve nuk është e ngjashme, ajo varion. Nevojitet një ditë nëse nuk kam preokupime të tjera dhe tre deri në katër ditë në varësi të detajeve dhe vështirësive që përmban”, ka zbuluar ajo.

Përtej pasionit, nuk mund të liheshin mënjanë as mediat sociale dhe ndikimi i tyre te artistët.

Për të renë, mediat sociale janë kthyer në një burim të rëndësishëm në të cilin artistët mund të promovojnë punën e tyre në këto kohë.

Kurse atë, e kanë ndihmuar tej mase, duke e lidhur me personat që janë të interesuar për atë çka krijon.

“Kërkesa varet shumë nga ndjekja në mediat sociale. Sa më shumë ndjekës të kesh aq më shumë kërkesa mund të vijnë. Ato nuk mungojnë, që nga përtretet që realizoj vetë deri te portretet që porositësit kërkojnë për njerëzit e dashur”, ka thënë Merkohasani.

Gjithashtu ka vijuar se më së shumti kërkohen portrete për persona të ndarë nga jeta ose si dhurata përmes së cilave të jepen ndjesi dhe kujtime.

Megjithatë, ajo ka mundur t’i ekuilibrojë kërkesat me dëshirat e veta.

“E përtej parapëlqimeve, vazhdoj të vizatoj dhe të paraqes paralelisht edhe punimet që më pëlqejnë”, ka siguruar artistja.

Ama, nuk ka lënë pas edhe njëfarë indinjate për atmosferën e përgjithshme të të vlerësuarit dhe kuptuarit të artistit dhe artit që ai shpërfaq.

“Këtu, njerëzit nuk e kanë ndjesinë e të kultivuarit të artit dhe kjo i shtyn të mos e vlerësojnë si duhet artin dhe artistin”, ka përmbyllur ajo, duke ilustruar se më tepër ‘vuajnë’ për çmimin se sa për vetë punimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore