Lajme

Popov: Vuçiç e pranoi vetë hyrjen e Kosovës në KiE – tash bëhet djalë i keq si Millosheviçi


Aleksandër Popov

Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, Aleksandër Popov, tha se obstruksionet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kundrejt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, shërbejnë vetëm për të ngritur temperaturën e audiencës serbe, duke qenë se Serbia u zotua se s’do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Situata rreth Kosovës dhe anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës po intensifikohet dhe për publikun vendas është e nevojshme të bëhet një problem më i madh”, theksoi Popov në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, derisa shtoi se Vuçiçi është duke u kthyer në një lojtar destruktiv në Ballkanin Perëndimor, porse ndërkombëtarët zor se e tolerojnë.

“Vuçiç u shpik nga kancelarja gjermane, Angela Merkel – nën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) – e cila financoi Ballkanin e Hapur. Megjithatë, ai dalëngadalë është duke u kthyer nga një lojtar i dëshirueshëm në një djalë të keq, ashtu sikurse Sllobodan Millosheviçi në vitet e fundit të sundimit të tij”, kujtoi ndër të tjera Popov në këtë intervistë.

Serbia shkeli sërish marrëveshjen e fundit kur votoi kundër raportit të raportueses për Kosovën në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë sepse neni 4 përcakton që shteti serb nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Madje, presidenti serb urdhëroi Qeverinë e Serbisë më 4 prill ta formojë një ekip të posaçëm për të lobuar kundër anëtarësimit të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës, derisa në Serbi nisi gjithashtu një fushatë agresive e sponsorizuar nga regjimi serb kundër kritikëve të pushtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore