Kosova

Ponosh: Vuçiçi është i denjë për përmendore në Prishtinë, do mbahet mend si kumbarë e hyrjes së Kosovës në NATO


Zdravko Ponosh

Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponosh, në një prononcim për gazetën serbe “Danas” të martën, ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të mbahet mend si kumbara e hyrjes së Kosovës në NATO, duke përmendur kërcënimet e sigurisë pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës.

“Ai e ka bërë atë që NATO-ja nuk ka arritur ta bënte as me bombardimet [ndaj Serbisë në vitin 1999]. Nuk i ka mjaftuar që i ka tërhequr të gjitha kompetencat e Serbisë në Kosovë, por e ka futur Kosovën në NATO me një spill në Banjë”, ka theksuar Ponosh, kryetari i partisë opozitare “Qendra e Serbisë” dhe një ndër zërat e moderuar në Beograd.

“Ka më shumë gjasa që ai të ketë sukses në atë që po bën për çështjen e përfshirjes së Kosovës në NATO. Ai është i denjë për ngritjen e një monumenti në Prishtinë. Për gjithë jetën, sigurisht”, ka  përfunduar Ponosh, derisa ka folur edhe për rënien e përspektivës së Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian (BE).

Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë dhe Francës, kanë shoqëruar Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në takime të ndara në Kosovë dhe Serbi, në një kohë kur tensionet mes palëve janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë.

E eskalimi i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë dhe nivelet e larta vendimmarrëse përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja dhe SHBA-të presin nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore