Ponosh: Serbët duhet të kthehen në institucionet e Kosovës, Beogradi i la në baltë

Ponosh ka thënë se serbët duhet të kthehen në institucione për të luftuar për statutin e tyre.
SHFLETO

Zdravko Ponosh

 

Dini Fetahu
28.09.2024 19:25
Loading Icons...

Kryetari i Partisë Qendra Serbe (SRCE), Zdravko Ponosh, ka thënë të shtunën se serbët duhet të kthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje dhe kështu, sipas tij, të “luftojnë për statusin e tyre”, sepse, siç potencon ai, “autoritetet në Beograd i kanë lënë në baltë”.

Pas një urdhri politik të marrë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, më 5 nëntor të vitit 2022, serbët e Kosovës kishin dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet kosovare, si në polici, gjyqësor, nga udhëheqja e katër komunave Veriore etj.

“Ata nuk mund të mbështeten në këtë lloj qeverie, derisa kjo lloj qeverisje është në Beograd. Ata duhet të varen nga gjithçka që munden, të qëndrojnë për të luftuar për statusin dhe të drejtën e tyre”, ka thënë Ponosh, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Ponosh, i cili mori pjesë të shtunën në të ashtuquajturën tryezë e rrumbullakët “Korniza strategjike për veprim në luftën për mbijetesën e popullit serb në Kosovë”, vlerësoi se situata ishte “pak ndryshe”, duke pyetur se “ku mbetën policët serbë, ndërsa në Veri të Kosovës ishte kaos i plotë?”.

Duke folur për atë që mund të bëhet në situatën aktuale në lidhje me Kosovën, politikani serb ka theksuar se “në afat të shkurtër duhet të bëhet në kuadër të institucioneve, duke përfshirë edhe atë të Prishtinës, sado e vështirë të jetë, me shumë hidhërim”.

Gjërat, siç pretendon ai, “do të ndryshojnë në afat të gjatë kur të largohet qeveria aktuale”, duke iu referuar pushtetit të Aleksandër Vuçiç-it.

“Për momentin, ne duhet të ndalojmë përkeqësimin, të stabilizojmë gjërat. Në mënyrë që gjërat të shkojnë në një drejtim tjetër, ne duhet të ndryshojmë qeverinë në Serbi”, shtoi.

Ndryshe, opozita në Serbi ka mbajtur të shtunën një tryezë diskutimi për serbët e Kosovës, ku morën pjesë edhe disa përfaqësues të serbëve të Kosovës, të cilët kërkuan që të krijohet një alternativë ndaj Listës Serbe – e mbështetur nga Vuçiç-i.