Lajme

Ponosh: Radojiçiç bëri marrëveshje me pushtetin, Vuçiç u shantazhua


Zdravko Ponosh

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Zdravko Ponosh, ka thënë se kryekrimineli Milan Radojiçiç, është liruar “shpejt” nga paraburgimi, pasi që beson se ai arriti një marrëveshje me autoritetet në Serbi.

Në një prononcim për median opozitare serbe “Danas”, Ponosh është shprehur i bindur se marrja e përgjegjësisë së plotë nga Radojiçiç për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit dhe paraqitja e tij në polici është rezultat i “marrëveshjes së arritur nga autoritetet (serbe) me të”.

“Besoj gjithashtu se lirimi i tij është gjithashtu pjesë e kësaj marrëveshjeje. Nuk është e papritur”, thotë Ponosh.

Kryetari i partisë Qendra e Serbisë, pohon se si do të zhvillohen më tej gjërat me terroristin Radojiçiç varet nga disa gjëra; “një pjesë e madhe varet nga ajo se kush do të jetë më i suksesshëm në negociatat me Aleksandër Vuçiç-in dhe në presionin e Vuçiç-it-Radojiçiç-it apo lojtarëve të jashtëm”.

Aleksandër Vuçiç dhe Milan Radojiçiç

“Konkretisht: kujt i detyrohet Vuçiç më shumë, kujt i frikësohet më shumë, kujt i ka premtuar më shumë, kush ka kapacitet më të madh për ta shantazhuar? Vuçiç e di se çfarë po bën me Radojiçiç-in”, shtoi.

Sipas tij, kreu i Serbisë “e di atë që di Radojiçiç”, teksa shtoi se ai është “më i pasigurt me lojtarët e huaj”.

“Ai nuk e di se sa dinë ata. Ai do të ishte i mençur të nisej nga supozimi se ata dinë shumë. Ai është gjithashtu i shqetësuar se kush do ta mbajë fjalën. Historia e fundit është plot me mësime shqetësuese”, vlerëson.

Në bazë të përvojave të kaluara, Ponosh thekson se përfundimi i kësaj çështje tanimë është i ditur.

“Ne nuk e dimë saktësisht se sa do të zgjasë dhe çfarë çmimi do të duhet të paguajmë. Serbët në Kosovë tashmë kanë paguar një çmim të madh. Ata ishin viktimizuar nga ky regjim”.

“Në të njëjtën mënyrë si serbët në Krajina u sakrifikuan nga i njëjti regjim në mishërimin e tij të mëparshëm. Duke qenë se ne i dimë të gjitha këto, nuk duhet të shikojmë vetëm qiellin dhe të presim që të përfundojë para se të fillojmë të zëvendësojmë pllakat e çatisë”, beson.

Ndryshe, një ditë pas arrestimit në Serbi, udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, Milan Radojiçiç, është liruar nga paraburgimi.

Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës së Lartë në Beograd, gjyqtari për procedurën paraprake, “pasi dëgjoi të pandehurin Milan Radojiçiç për arsyet e caktimit të paraburgimit, hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për të caktuar paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes”.

“Në të njëjtën kohë, sipas të pandehurit Radojiçiç, i është caktuar masa e ndalimit për t’u larguar nga vendbanimi, e cila i ka ndaluar të largohet nga territori i Republikës së Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës, dhe është urdhëruar që çdo datë 1 dhe 15 të muajit të paraqitet në stacionin policor kompetent në stacion”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, nga kjo gjykatë kanë njoftuar se terroristit Radojiçiç, i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit, pra pasaporta e Serbisë, “ndërsa i pandehuri është paralajmëruar se mund t’i shqiptohet paraburgimi nëse i shkel ndalesat dhe detyrimet”.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore