Kosova

Ponosh para takimit Bislimi-Petkoviç: Vuçiç garantoi se do t’i pranojë vulat doganore dhe targat deri më 15 nëntor


Zdravko Ponosh

Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë, Zdravko Ponosh, ka konsideruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka pranuar zbatimin e disa prej zotimeve që rrjedhin nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars), përfshirë draft-statutin e Bashkimit Evropian (BE) për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Kryetari i partisë opozitare “Qendra e Serbisë” dhe një ndër zërat e moderuar në Beograd, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën, ka thënë se presidenti serb ka pranuar njohjen e dokumenteve dhe simboleve shtetërore të Kosovës deri më 15 nëntor, derisa ka shtuar se “prandaj edhe ri-regjistrimi i veturave (RKS) është duke vazhduar kaq shpejt”.

Ponosh ndër të tjera ka konstatuar se presidenti serb tani është në pritje që draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga kryeministri kosovar, Albin Kurti, derisa ka akuzuar autoritetet serbe se kanë rënë nën “nënshtrimin e shantazhit të jashtëm” pas zhvillimeve të fundit.

“Vuçiçi është zotuar për njohjen e dokumenteve të Kosovës, institucioneve dhe simboleve…derisa është në pritje që Kurti ta shtyjë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ai ka garantuar se do të përmbushë dy gjëra para afatit kohor: vulat doganore dhe targat – deri më 15 nëntor”, ka shkruar Ponoshi.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” është duke vijuar, më 16 nëntor do të takohen në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – për të diskutuar hapat drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore