Kosova

Pompoziteti i LVV-së, Abdixhiku: Asnjë njohje e re – tri vite të humbura


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën, duke iu referuar bilancit pompoz të Qeverisë së Kosovës në javën e parë të janarit, sugjeroi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk është meritore për liberalizimin e vizave e as për njohjen e pasaportave kosovare nga Spanja mosnjohëse.

Reagimi i Abdixhikut vjen pas një postimi të kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili të dielën përshëndeti përmbylljen e disa proceseve të rëndësishme për vendin, duke filluar nga lëvizja e lirë drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE), njohja e targave kosovare nga autoritetet serbe dhe zbatimi i marrëveshjes për energjinë për katër komunat veriore të vendit.

Euforinë e zyrtarëve qeveritarë, kreu i LDK-së e cilësoi “mburrje përplot delir populist”, derisa përmendi performancën e dobët të Qeverisë së Kosovës, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar, ku kanë munguar kryesisht njohjet dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Madje, ai ka përmenduar edhe vendosjen e Kosovës nën masat ndëshkuese të BE-së.

“Ja me çfarë mburren përplot delir popullist: Me njohje pasaportash por asnjë njohje të re në tre vjet. Njohja e fundit ishte nga Izraeli, 3 vite më parë; pa ta! Asnjë njohje, asnjë anëtarësim! Sanksione e mbi 300 milion euro humbje nga ky izolim!”, shkroi numri një i LDK-së të dielën në mbrëmje, vetëm disa minuta pas postimit pompoz të kryeministrit Kurti.

Ai shtoi se zyrtarët institucionalë nuk duhet të mburren për liberalizimin e vizave, sepse, sipas tij, partia në pushtet, dikur në opozitë, ka qenë një ndër faktorët kryesorë që ky proces është shtyrë për plotë shtatë vjet – gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës dhe protestat masive të LVV-së në sheshet e kryeqytetit kanë qenë vetëm disa nga zhvillimet kryesore.

“Mburren me liberalizim, proces që e kishin ndërprerë me dhunë qysh në vitin 2016. Asokohe, Kosova, Ukraina dhe Gjeorgjia ishin në një paketë. 7 vite të humbura për një kauzë që e kanë harruar tashmë. I thonë demarkacion”.

Abdixhiku kritikoi edhe marrëveshjen midis kompanisë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe kompanisë serbe “Drustvo Elektrosever D.O.O”, në bazë të së cilës filloi edhe nominimi i energjisë elektrike që konsumohet në katër komunat veriore. Rjedhimisht, energjia elektrike supozohet të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit.

“Mburren me mbledhjen e faturave në veri nga ‘ELEKTROSEVERI’, kompani në pronësi të shtetit të Serbisë. Ka mbi 7 vite që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje madje dhe me protestë. Sot marrëveshjen e njëjtë e trumpetojnë si histori. Kosova mundet më mirë! Kosova meriton shumë më mirë!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore