Boterori 2022

Polonia triumfon ndaj Arabisë, Lewa shënon golin e parë në Botëror


Polonia ka arritur të marrë fitoren e parë në Kupën e Botës, Katar 2022. Skuadra evropiane mundi me rezultatin 2-0 Arabinë Saudite.

Para ndeshjes së sotme kundër Arabisë Saudite, Polonia kishte fituar të gjitha 14 ndeshjet e Kupës së Botës në të cilat kishte hapur rezultatin. Një gjë të tillë e arriti edhe në këtë takim.

Dy skuadrat e Grupit C u përballën në stadiumin “Education City”, në një sfidë që fliste më shumë për sauditët, por polakët u treguan cinik në lojën e tyre. Kjo pasi polakët realizuan gol me gjuajtjen e parë në portën kundërshtare.

Goli i parë i takimit u shënua nga mesfushori i Napoli-t, Piotr Zielinksi në minutën e 23-të të takimit. Ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 14 gola për klubin dhe kombëtaren së bashku në 2022-23, më saktë shtatë gola dhe shtatë asistime.

Ndërkohë, portieri polak Wojciech Szczesny priti 11 metërsh në minutën e 45-të, duke i hequr mundësinë, Salem Al-Dawsari të shënonte.

Në minutën e 82 të pjesës së dytë do të ishte radha e sulmuesit, Robert Lewandowski për të shënuar. Ai ishte me fat pasi mori një top “dhurat” nga Abdulelah Al Malki në hryje të zonës së rreptësisë.

Ky ishte goli i parë historik i Lewandowski-t në një Kupë Bote, pasi kishte dështuar të realizonte në katër paraqitjet e mëparshme.

Lojtari i ndeshjes

Szczesny me penalltinë e pritur dhe jo vetëm është vlerësuar si lojtari më i mirë i këtij takimi. Portieri i Juventus-it mbajti në lojë Poloninë, teksa priti penalltinë që mund ta kishte çuar ndeshjen në barazim 1-1.

Por, gardiani polak shpëtoi portën së paku dhe në pesë raste të tjera.

Renditja në Grupin C

Me fitoren e arritur, Polonia qëndron në krye të këtij grupi me katër pikë. Ndiqet nga Arabia Saudite me tre pikë. Meksika mban vendin e tretë me një pikë. Ndërsa Argjentina mban vendin e fundit me zero pikë.

Ndeshja e fundit e javës së dytë në këtë grup do të jetë mes Argjentinës dhe Meksikës. Takimi do të luhet mbrëmjen e kësaj të shtune duke filluar nga ora 20:00.

Duelet e fundit në këtë grup do të zhvillohen më 30 nëntor, ku Polonia do të përballet me Argjentinën dhe Meksika me Arabinë Saudite. Të dy takimet do të fillojnë nga ora 20:00.

Takimet e mbetura të të shtunës:

Grupi C

Argjentinë – Meksikë, ora 20:00

Grupi D

Tunizia – Australia, 1-0

Francë – Danimarkë, ora 17:00

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore