Lajme

Polonia i kërkon Gjermanisë kompensimin e dëmeve të luftës me 1.3 trilionë euro


Polonia do t’i paraqesë Gjermanisë “faturën” e dëmit të pësuar gjatë pushtimit nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore.

Kjo do të bëhet me rastin e një samiti midis ministrave të Jashtëm të Varshavës dhe Berlinit.

Shuma e kërkuar nga polakët ka bërë bujë. Bëhet fjalë për 1.3 trilionë euro, rezultat i një përllogaritjeje të bërë nga një komision parlamentar.

Një shifër që gjermanët pritet ta kundërshtojnë duke pretenduar se një sërë traktatesh ndërkombëtare të nënshkruara në 70 vitet e fundit.

Përmes ministrit të Jashtëm Zbigniew Rau, Polonia ka nënshkruar një letër diplomatike që përshkruan kërkesën.

“Palët duhet të marrin masa të menjëhershme për të zgjidhur në mënyrë të përhershme dhe efektive çështjen e pasojave të agresionit dhe pushtimit gjerman”, ka thënë ai.

Sipas Rau-t, një marrëveshje e tillë do të lejonte që marrëdhëniet polako-gjermane të bazohen mbi drejtësinë dhe të vërtetën dhe të mbyllim kapituj të dhimbshëm të historisë.

Sakaq, letra do të dorëzohet me rastin e festimeve për unitetin gjerman në Varshavë në prani të ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock.

Referuar komisionit parlamentar polak, shifra e kërkuar merr parasysh dëmet e pësuara nga bombardimet, humbjen e jetëve njerëzore, sovranitetin politik dhe integritetin territorial midis viteve 1939 dhe 1945 .

“Kjo është një kërkesë e kujdesshme”, ka thënë Jaroslaw Kachinski, kreu i partisë në pushtet në Poloni.

Asokohe, vendi numëroi rreth gjashtë milionë të vdekur dhe kryeqyteti u rrafshua me tokën.

Por shuma e kërkuar mbetet po prapë e lartë. Ajo korrespondon me afro gjysmën e borxhit publik italian.

Dhe Berlini ka kohë që ka sqaruar qëndrimin e tij për çështjen.

Një traktat i nënshkruar nga Polonia në vitin 1953 hoqi dorë nga çdo pretendim, një dëshirë e rikonfirmuar në vitin 1990 kur, pas ribashkimit të Gjermanisë, kufijtë midis dy shteteve u vendosën përfundimisht.

Pavarësisht traktateve ndërkombëtare, pavarësisht kohës që ka kaluar dhe pavarësisht 70 viteve të paqes së garantuar nga BE-ja, plagët e lëna nga konflikti i fundit botëror ndihen përsëri periodikisht me dhimbje.

Në vitin 2019 ishte radha e Greqisë të avanconte kërkesën për kompensimin e dëmeve të luftës.

Qeveria e Athinës llogariti 289 miliardë euro për këtë rast. Gjithashtu në atë rrethanë Berlini iu drejtua traktateve të mëparshme, veçanërisht atë të vitit 1960 midis qeverisë gjermane dhe asaj helene.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore