Kosova

Politikanët te varri i dëshmorit Ilir Konushevci, “neve na ka mbetur më pak punë për të vazhduar idealin e tyre”


Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me kryeparlamentarin e Kosovës, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varret e dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

Kryeministri Kurti, para mediave ka thënë se rënia e këtyre heronjve e ngriti vetëdijen te të gjithë qytetarët, se duhet organizuar sa më parë për çlirimin e vendit.

“Konushevci dhe Mala e kuptonin se faktori i brendshëm është vendimtarë për çlirimin e vendit. Dëshmorët janë dëshmuar dhe ne duhet të dëshmohemi tek ata, dhe të ecim drejt në rrugën që kanë shtruar ata”, është shprehur ai.

Tutje ai ka theksuar se heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kanë kryer punën më të rëndësishme kurse “neve na ka mbetur një pjesë e vogël e punës të cilën duhet ta kryejmë me nder”.

Në anën tjetër, Konjufca ka potencuar se Ilir Konushevci është njëri prej figurave më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Do të ishte i pa mendueshëm në fillesat e veta organizimi i UÇK-së dhe i luftës pa kontributin e jashtëzakonshëm të Konushevcit”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, Konushevci do të kujtohet dhe nderohet gjithmonë prej kombit shqiptar si njëri prej heronjve më të rëndësishëm të luftës.

“Iliri dhe liria janë një. Ai ra për të na lënë neve pengun e vrasjes së tij, i cili do të marrë fund kur drejtësia ta thotë fjalën e vet”, ka shkruar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 23 vjetorit të vrasjes së Gjeneral Ilir Konushevci.

Osmani përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se që nga vitet e 90-ta, Ilir Konushevci, idenë për lirinë e vendit e kishte shndërruar në kauzë jetësore.

“Ai ra për lirinë e vendit, duke e përbrendësuar aktivitetin me emrin dhe kauzën. Në 23-vjetorin e rënies së gjeneral Ilir Konushevcit, përkulemi para veprës heroike të tij”, është shprehur presidentja Osmani.

Ndërkohë, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe të varret e heronjve.

Gjatë përshëndetjes së tij me familjarët, ai ka thënë se ishte i nderuar që ka qenë bashkëluftëtar me Konushevcin e Malajn.

Po ashtu, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se “ky luftëtar dhe strateg i pakrahasueshëm, do të kujtohet gjithmonë si gjenerali i UÇK-së që koordinoi aksionet e para në pranverën shqiptare dhe hapi rrugët për furnizim me armatim”.

Ndërkaq, familjari Arton Konushevci, në emër të familjeve para mediave ka thënë se përveç se këto data janë të vështira për familjarët, ato janë edhe data krenarie duke marrë parasysh kontributin që kanë dhënë dëshmorët e kombit.

“Ata kanë dhënë kontributin më të madh për çlirimin e vendit. Tani shpresoj që neve na ka mbetur më pak punë për të vazhduar idealin e tyre dhe shpresoj që Kosova do të ketë ditë më të mira në të ardhmen”, është shprehur Konushevci.

Në mëngjesin e nëntë majit 1998 në një pritë të organizuar nga pushtuesit serb, Ilir Konushevci bashkë me mjekun Hazir Mala, u vranë teksa udhëtonin për në Bajram Curr me një kamion të ngarkuar me armatim.

Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore