Lajme

“Politikanët në Kosovë nuk guxojnë t’i përmendin të drejtat e komunitetit LGBTI+ në fushatë”


Njerëzit duke marshuar në paradën e parë zyrtare të komunitetit LGBTI+ të mbajtur në Prishtinë

Pesë partitë më të mëdha në Kosovë në programet e tyre qeverisëse nuk kanë të përfshirë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të personave LGBTI+.

Në kërkimin e Albanian Post në programet qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA-s Socialdemokrate, përveç që personat e këtij komuniteti nuk përfshihen, liderët e tyre as nuk i përmendin gjatë fushatës zgjedhore.

Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me të drejtat e personave LGBTI+ thonë që “liderët politikë nuk guxojnë të përmendin këtë komunitet” dhe se “të njëjtit edhe kur premtojnë, nuk marrin pjesë në Paradën e Krenarisë”.

“Nëse ne sot në vitin 2021 në Kosovë kemi liderë që nuk guxojnë t’i përmendin të drejtat e njeriut, përfshirë edhe të drejtat e personave LGBTI+, atëherë çdo votues që mendon t’i përqafojë vlerat evropiane, duhet ta rimendojë modelin e qeverisjes dhe të kërkojë llogari e përgjegjësi nga subjektet që përkrahë”, ka thënë Blert Morina, Drejtor i Qendrës për Barazi dhe Liri, CEL Kosova, për Albanian Post.

“Të ashtuquajturat programe qeverisëse”, siç i cilëson Arbër Nuhiu, Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD-së, nuk kanë asgjë konkrete që adresojnë çështjet dhe të drejtat e personave LGBTI+ në Kosovë, ka thënë ai për Albanian Post.

Nuhiu mendon se liderët e subjekteve politike “në asnjë moment nuk kanë interesin e qytetarëve të Kosovës, por, fatkeqësisht, interesin e kanë te grumbullimi i sa më shumë votave”.

E këtë e shpjegon duke treguar dështimin e ofrimit të mbështetjes publike nga këta të fundit.

“Në vitin 2019, subjekteve politike iu është bërë vetëm 1 pyetje: nëse do të marrin pjesë në Paradën e Krenarisë. Edhe pse përgjigjet kanë qenë, si me zor, pozitive, asnjë nga liderët e partive politike nuk ka marrë pjesë në Paradën e Krenarisë”.

Blert Morina konsideron që ajo që nuk është e qartë është se të gjitha grupet kanë nevoja të veçanta dhe të ndryshme nga njëra-tjetra.

“Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me ‘do të përmirësojmë mirëqenien e çdo individi’, por duhet të jemi shumë të qartë se cilat janë çështjet që do të adresohen dhe hapat konkretë në lidhje me këtë ‘përmirësim të mirëqenies’”, shpjegon Morina.

Ai thotë se pakoja e të drejtave të njeriut nuk është prioritet e rrjedhimisht “mirëqenia e asnjë personi nuk do të merret parasysh përgjatë mandatit”.

Këtë e thotë nën logjikën se përjashtimi i një grupi të margjinalizuar nga pakoja e të drejtave të njeriut tregon qartë se i gjithë hartimi i planeve për mirëqenien e qytetarëve është bërë në mënyrë sipërfaqësore.

“Kjo shpërfaqë realitetin e hidhur me të cilin personat LGBTI+ ballafaqohen në baza ditore, shpërfaqë një qasje sipërfaqësore ndaj të drejtave të njeriut, shpërfaqë homofobinë dhe transfobinë brenda subjekteve politike”, thotë ai.

Për të ilustruar edhe më gjerësisht mospërfshirjen e këtij komuniteti në programet qeverisëse, Arbër Nuhiu thotë se “nuk ekziston vullnet i brendshëm politik që të diskutohet apo të ndërmerret ndonjë gjë për të drejtat LGBTI+. Këto çështje fillimisht duhet diskutuar brenda partisë e më pas të elaborohen në kuadër të programit qeverisës si dhe të debatohet me qytetarë”.

Duke futur të gjithë subjektet politike në një “thes”, ai veçon vetëm një parti politike që janë më të zëshëm për të drejtat e personave LGBTI+, por thotë se “fatkeqësisht ky subjekt politik nuk është në garë për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit”.

Për më tepër, Blert Morina shprehë zhgënjimin e tij ndaj subjekteve politike duke thënë se “sigurisht, që në momente të tilla edhe ne do duhej t’i shijonim këto programe dhe të votonim ofertën më të mirë. Por, ky nuk është realiteti për ne”.

“Kemi bërë rrugë të gjatë si lëvizje dhe, pa marrë parasysh se kush do të vijë në pushtet, ne do jemi kudo që e kërkon nevoja. Nëse është nevoja që protestat 1 ditore të bëhen javore e mujore, ashtu do të veprojmë. Duket qartë se nuk mjafton të bëjmë presion një muaj dhe vetëm gjatë kohës së fushatës, prandaj do të ushtrojmë presion gjatë gjithë mandatit pasi që çrrënjosja e pushteteve homofobike e transfobike mund të marrë edhe dekada”.

Ndërsa, Arbër Nuhiu e konsideron diskursin e partive nëpër fushata politike si nacionalist dhe popullist apo “patriotike”.

Ai shpjegon se janë bërë propozime për të rregulluar martesën e gjinisë së njëjtë në projekt Kodin Civil qysh nga viti 2019.

Ndonëse së fundmi, përkatësisht në vitin 2020, janë ridërguar propozimet në Kuvendin e Kosovës dhe është mbajtur një takim për t’i shqyrtuar propozimet, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim si pasojë e rrëzimit të qeverisë. Ai konsideron se ndërrimi i shpeshtë i qeverive e bënë një gjë të tillë të pamundur që të shtyhet para.

Në një mesazh drejtuar personave të këtij komuniteti, Blert Morina u bën thirrje që të kujtojnë se “secili nga ju mundëson funksionimin e qeverisë dhe shtetit me taksat e juaja. Prandaj, nëse dikush nuk e ka guximin të njohë ekzistencën tuaj, nuk duhet ta gëzoj besimin tuaj”.

Ndërsa, Arbër Nuhiu, i cili nuk sheh shpresë në partitë politike në zgjedhjet e këtij viti, mesazhin e vetëm që u dërgon personave LGBTI+ është t’i votojnë gratë kandidate për deputete pasi nga përvoja e vendeve te ndryshme, në krahasim me burrat deputet të cilët janë shumicë, gratë deputete kanë bërë shumë më shumë përpjekje për të bërë ndryshim shoqëror, duke i shtyrë përpara ligjet që ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

“Në shumicën e rasteve burrat kandidojnë për t’u bërë diçka, ndërsa gratë kandidojnë për të bërë diçka”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore