Shqipëria

Policia vijon operacionin “Tempulli”, arreston një tjetër shtetas në Elbasan


Policia e Shtetit ka vijuar kërkimet në kuadër të mega-operacionit “Tempulli”, duke arrestuar një tjetër shtetas në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet.

Në pranga ka përfunduar 26-vjeçari Erjon Kukolli, ndaj të cilit gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Kapet në Elbasan dhe vihet në pranga një 26-vjeçar i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, në kuadër të këtij mega-operacioni. Shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVP Tiranë, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të mega-operacionit policor mbarëkombëtar të koduar ‘Tempulli’, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore”, vëren Policia.

Autoritetet bëjnë me dije se ai është lokalizuar, kapur dhe ndaluar në lagjen “28 nëntori”.

Policia shtoi se po vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij mega-operacioni.

“Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Tiranë”, ravijëzuan autoritetet shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore