Policia ushtarake gjermane për një javë ka trajnuar policinë ushtarake të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Trajnimi njëjavor i ka mundësuar policëve tanë ushtarak që të ngritin nivelin e përgatitjes në taktikat dhe teknikat e mbrojtjes së afërt të personave shumë të rëndësishëm (VIP). Ky trajnim u realizua në vazhdën e partneritetit të ngushtë dhe planit të bashkëpunimin bilateral ushtarak në mes forcave të dy vendeve tona”, ka shkruar Mehaj.
Ai ka shprehur falënderime për Ministrinë e Mbrojtjes në Gjermani.
“Mirënjohje dhe falënderim i thellë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë për gjithë mbështetjen e madhe në ngritjen dhe zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së”.
Më 22 shkurt, Kuvendi i Kosovës kishte votuar në parim Projektligjin për policinë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë arsyetimit të këtij projektligji kishte thënë se rregullimi i misionit dhe statusit të policisë ushtarake me ligj është një hap drejt anëtarësimit në NATO.
“Është hera e parë që statusi dhe misioni i policisë ushtarake rregullohet me ligj të veçantë. Duke marrë parasysh se synimi Kosovës është anëtarësimi në NATO, rregullimi i misionit dhe statusit të policisë ushtarake me ligj është një hap drejt realizimit të këtij synimi strategjik të Republikës së Kosovës”.