Lajme

Policia: Situatë e brishtë në Veri


Foto: REL.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media situatën në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan  e ka përshkruar “si të brishtë, por të qetë”.

PK-ja referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura të hënën e 29 majit, ka potencuar se është duke vazhduar angazhimin sipas detyrës zyrtare.

“Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë. Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Ndërsa, kanë theksuar se kanë nisur hetimet për të gjitha incidentet që kanë ndodhur të hënën.

“Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme. Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato”.

Po ashtu për protestën e zhvilluar të hënën është thënë se ka rrezikuar edhe jetën e njerëzve, por edhe të zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.

“Protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë”.

Situata të hënën në Veri.

Të hënën e 30 majit, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Në një video që ishte publikuar në mediat serbe janë parë protestuesit teksa përleshen më ushtarët e KFOR-it.

Ndërsa një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it, derisa kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, ka vazhduar të mbetet para ndërtesës së komunës.

Po ashtu KFOR-i, bëri të ditur se ka shtuar praninë në katër komunat veriore pas zhvillimeve atje ku serbët kanë tentuar të hyjnë dhunshëm në objektet komunale.

Përmes një komunikate për media KFOR-i, ka kërkuar nga palët që të mos nxisin tensione dhe të mos përshkallëzojnë situatën.

“Mëngjesin e sotëm, misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në zonë”.

“Qëllimi i pranisë së KFOR-it është të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999″, kishte shkruar KFOR-i të hënën.

Ndryshe, 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani ishte parë një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore