Shqipëria

Policia shpall perimetrin e sigurisë për Samitin, protesta mund të organizohet jashtë saj


Policia e Shtetit përmes një deklarate për shtyp ka njoftuar masat e ndërmarra për datën 6 dhjetor, ditë kur do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas drejtorit të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë Publike Rebani Jaupi, do të bllokohet Unaza e Madhe dhe rrugët përreth ‘Air Albania’.

Po ashtu do të bllokohet Bulevardi Bajram Curri nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit te rruga Ibrahim Rugova.

I bllokuar do të jetë edhe Bulevardi Dëshmorët e Kombit nga ura e Lanës te Sheshi Nënë Tereza Sipas Jaupit, brenda perimetrit të sigurisë lejohen vetëm qytetarët që kanë banesat.

“Lëvizja e qytetarëve do të impaktohet drejt për drejt. Nisur nga rëndësia institucionale, samiti i BE-së përbën në tërësi dhe për Policinë e Shteti një mundësi për të dëshmuar kontributin e gjithsecilit për garantimin e rëndit. Policia ka marrë masa nga pika e kalimit të kufirit dhe garantimin e rendit publik në Tiranë dhe gjithë vendin”.

Perimetri, sipas autoriteteve do të jetë nga ora 14:00 i datës 5 deri në përfundimin e samitit.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm konsistojnë në disa plane, konkretisht: garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, organizimin e shërbimeve policore, sigurimin e delegacioneve përgjatë gjithë rrugëkalimit, nga Rinasi për në Tiranë, eskortimin e delegacioneve nga aeroporti i Rinasit, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Rinas, eskortimi i delegacioneve nga PKK Morinë, Kukës, për në vendin e zhvillimit të Samitit në Tiranë, dhe në kthim për në Morinë, Kukës.

Konkretisht akset urbane të bllokuara janë:

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”; Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium; Rruga “Dervish Hima”; Rruga “Asim Zeneli”; Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

Gjithashtu të bllokuara do të jenë:

Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”; Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”; Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC; Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit; Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.

Në këto akse rrugore do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm levizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;

Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti” deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore