Kosova

Policia: Rreth 74 milionë dinar janë konfiskuar në Veri


Pas mbylljes së gjashtë degëve të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë në Veri të Kosovës, Policia ka njoftuar se gjatë këtij operacioni janë konfiskuar një numër i konsiderueshëm i parave.

“Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, pas aksionit, gjashtë filiale të Bankë Postare Kursimore janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas mbylljes së gjashtë njësive të Bankës Postare të Kursimeve, duke theksuar se sundimi i rendit dhe ligjit dhe shërbimi ndaj qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi kryesor.

“Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi. Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”.

Më 1 shkurt, në Kosovë pati hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së që parashihte që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb.

Ky vendim kishte rritur shqetësimet serbëve lokalë, të cilët marrin paga dhe pensione nga Serbia me dinarë, por edhe e përdorin këtë valutë për shitblerje.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e Rregullores, me qëllim që të gjendet një zgjidhje për popullsinë në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore