Policia për ish-asistentin e Kurtit: Nuk zbatoi urdhërat e policit, prishi qetësinë publike

SHFLETO

Ilustrim: Albin Kurti dhe Arianit Beqiri

 

Dreni Himbeqa
25.06.2024 0:26
Loading Icons...

Arrestimi i asamblistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arianit Beqirit nga ana e Policisë së Kosovës ka ardhur pasi ky i fundit nuk ka zbatuar urdhërat e zyrtarit policor.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i ka thënë Albanian Post, se arrestimi i ish-asistentit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ka ardhur meqë i njëjti është i dyshuar gjithashtu për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Aktualisht policia po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen me qëllim zbardhjen e plotë të tyre”, ka thënë Borovci për AP.

Borovci ndër të tjera njoftoi se përveç Beqirit është arrestuar edhe një person tjetër për të njëjtën arsye.

Beqiri u arrestua të hënën nga ana e Policisë së Kosovës.

Nga pamjet e publikuara në media, Beqirit i janë vënë prangat pas një rezistimi të gjatë ndaj zyrtarëve policorë.

Në anën tjetër shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, potencoi se kolegu i tij u vu nën pranga, pasi refuzoi ta paguajë biletën për hyrje në një hapësirë publike, ndonëse hyrja në ambientet ku po shfaqen ndeshjet e futbollit të Kamiponatit Evropian është pa pagesë.

“Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Arianit Beqiri u arrestua në sheshin e Prishtinës sepse refuzoj të paguaj hyrjen në hapësirën publike ku po shfaqen ndeshjet e futbollit”, shkroi ai në platformën sociale, Facebook.

Sveçla kërkoi që me zyrtarët policorë të cilët e arrestuan Beqirin të merret Inspektorati Policor i Kosovës.

“Për uzurpimin e hapësirave publike të qytetarëve fajtor është Përparim Rama dhe partia e tij, për dhunën e shfaqur nga polici i cili e godet me shkelm Ariantin, duhet të merret Inspektorati Policor”.