Kosova

Policia nis hetimet për vdekjen e 2 vjeçarit në Gjilan


Spitali i Gjilanit.

Një fëmijë dy vjeçar, është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Gjilanit, të dielën, rasti ky i cili është cilësuar si i dyshimtë.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i këtij spitali, Arsim Emini.

“Sipas mjekut kujdestar, afërsisht, më tepër se gjysmë ore më herët fëmija kishte vdekur para se të vij në spital. Nuk ka pasur të dhëna nëse ka qenë i diagnostikuar me ndonjë sëmundje”.

“Trauma dhe dhunë fizike, sipas mjekut kujdestar, nuk ka pas”, ka thënë Emini.

Nga Policia është thënë se hetimet kanë nisur, ndërsa me vendim të Prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion dhe rasti është nën hetime.

“Është raportuar se në spitalin rajonal është dërguar pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë.

Një rast tjetër i cili po hetohet nga institucionet është edhe vdekja e një 4 vjeçare.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se ka filluar hetimet, meqë familja e së ndjerës është ankuar për neglizhencë të stafit mjekësor.

Pas reagimeve të shumta që u bënë nga shoqëria civile se rasti i vdekjes së 4 vjeçares ka pasur neglizhencë nga sistemi shëndetësor, Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka thënë se në këtë institucion pacientja ka pasur mbikëqyrje profesionale dhe mjekësorë.

Nga Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, është thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit

Pas trajtimit në spitalin e Gjakovës, pacientja u dërgua në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK), më 17 shkurt, ndërsa më 19 shkurt ajo ndërroi jetë.

Trupi i saj është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Familjarët e viktimës janë ankuar për neglizhencë nga Spitali i Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore