Policia në kërkim të vëllezërve Avdyli- dyshohen për vrasje në Norvegji “fshihen në Kosovë”

SHFLETO

Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli

 

Valon Rashiti
01.11.2021 7:30
Loading Icons...

Policia e Kosovës është vënë në kërkim të vëllezërve Valon dhe Visar Avdyli nga Norvegjia të dyshuar për vrasje, pasi ata sipas mediave norvegjeze thuhet se janë strehuar në Kosovë.

“Policia e Kosovës lidhur me çështjen në fjale ka pranuar informacionin nga autoritetet norvegjeze dhe nga ajo kohë është në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me policinë norvegjeze”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë për Albanian Post.

“Po ashtu lidhje me urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet Norvegjeze, janë njoftuar autoritetet kompetente”.

Vëllezërit Avdyli nga Baerumi në Norvegji që më herët ishin burgosur për terrorizëm, po kërkohen nga autoritet norvegjeze pasi dyshohet se e kanë vrarë Hamse Hashi Adan, 20-vjeç në qytetin e Mortensrud, derisa po qëndronte me disa persona tjerë para shkollës së quajtur Lofsrud.

Hamse Hashi Adan, viktima

Policia norvegjeze ka publikuar fotot e të dyshuarve pak minuta para se të fluturonin për në Kosovë të shtunën më 9 tetor.

“Që kur ndodhi kjo, ne i kemi inkurajuar autorët të raportojnë në polici, por nuk kemi mundur t’i kapim që nga e premtja e kaluar dhe tani zgjedhim të dalim me emër dhe foto” thuhej në njoftimin e policisë norvegjeze.

Por, vëllezërit Avdyli mohojnë çfarëdo akuze që mund të rëndojë mbi ta – duke pretenduar se nuk kanë gisht në këtë vrasje.

“Unë kam qenë në kontakt me të dy pasi janë shpallur në kërkim dhe të dy mohojnë të kenë lidhje me ngjarjen”, kishte thënë avokati i tyre Svein Holden.

Ndërkaq në vitin 2016, Valon Avdyli, 35-vjeç, ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.

Ai ishte dënuar me katër vite e gjashtë muaj burgim.

Vëllai i tij i vogël Visar Avdyli, 31-vjeç, ishte dënuar me tetë muaj burgim për të njëjtin rast.

Gjykata besonte se ai ishte munduar t’i dërgojë materiale organizatës terroriste.

Në vitin 2017, u dënua për një rast tjetër të dhunës në Trondelarg.

Ata janë vëllezërit e Egzon Avdylit, i cili u vra në Siri gjatë vitit 2014 si pjesë e ISIS-it.

Vëllezërit Valon dhe Visar Avdyli dhe Xhibril Bashir