Policia me aksion në Veri, konfiskohen disa produkte medicinale

SHFLETO

Foto nga arkivi.

 

Altina Marmullaku
23.01.2024 14:56
Loading Icons...

Policia e Kosovës, është duke kryer një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku janë gjetur disa produkte medicinale, të cilat nuk dihet se kujt i takojnë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

“Jemi duke vazhduar aksionin, janë gjetur disa produkte medicinale të cilat nuk dihet se kujt i takojnë. Do të thotë kontrollimi po kryhet në një vend ku ka produkte medicinale”, ka thënë Elshani.

Më 22 janar, edhe Dogana e Kosovës, ka bërë të ditur se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e mallrave të paligjshme në Zveçan.

“Njësitë e kundër kontrabandës të Doganës me asistencë të Policisë sot në Zveçan kanë realizuar një operacion të suksesshëm, duke konfiskuar një sasi të konsiderueshme mallrash të paligjshme në një depo. Gjatë këtij aksioni, janë kapur dhe konfiskuar: 280 copa pije të forta alkoolike, 300 copa verëra të ndryshme, si dhe 180 produkte kozmetike të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Ky aksion thuhet se është realizuar mes njësive të Doganës dhe Policisë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar trafikun e mallrave të paligjshme.

Ndërsa, kanë bërë thirrje tek të gjithë qytetarët dhe bizneset që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë dhe të ndihmojnë në luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës.

Edhe më 6 janar, Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, kishte , konfiskuar mbi 10 mijë euro mallra të kontrabanduara në një biznes për tregtim të telefonave në Komunën e Gjakovës.

Konfiskohen mallra të paligjshme në Zveçan