Lajme

Policia identifikon personat për rrahjen e fëmijës me sindromën Down – akoma s’ka të arrestuar


Foto: Albanian Post.

Pas rastit ku ndaj një fëmije me sindromën Down është ushtruar dhunë dhe pastaj i njëjti ishte hedhur në ujë në Velipojë me 6 korrik, Policia ka bërë të ditur se janë në fazën e mbledhjes së dëshmive.

Edhe pse nga organizata “Down Syndrome Kosova”, është thënë se dhuna fizike është ushtruar nga përfaqësuesi i qendrës së “OPFAKOS” në Pejë, në prani të pjesëmarrësve të tjerë, akoma nuk është arrestuar asnjë person.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka potencuar se personat janë identifikuar.

“Policia është njoftuar për rastin dhe është në fazën e mbledhjes së dëshmive. Janë identifikuar personat e përfshirë në rast, por ende nuk ka të arrestuar. Të gjithë veprimet janë duke u kryer në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, është shprehur Gashi për Albanian Post.

AP ka kontaktuar edhe Prokurorinë Themelore të Pejës.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi, ka thënë se i dyshuari është marrë në pyetje në stacionin policor.

“Me të parë reagimin publik të këtij rasti, Prokurori i Shtetit ka autorizuar menjëherë Policinë e Kosovës për t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Personi i dyshuar me të parë në media këtë rast është paraqitur në stacionin policor dhe është marrë në pyetje”, ka thënë Nikçi për AP.

Ai tutje ka paralajmëruar se do të ndërmerren masa ligjore për këtë çështje.

“Një dëshmitar okular është kontaktuar, por i njëjti gjendet jashtë shtetit për pushime dhe ka konfirmuar se brenda pak orësh do të paraqitet në polici për të dhënë deklaratë. Pas intervistimit të tij do të ndërmarrim masa ligjore për këtë çështje penale”.

Keqpërdorime e shkelje në vendin e punës në institucionet shëndetësore të Kosovës janë bërë vazhdimisht.

Një rasti i ngjashëm ka qenë edhe ai i logopedit Iljasa Fazliu, i cili dyshohej se në klinikën e tij private keqtrajtoi një 3-vjeçare me autizëm.

Ai është rikthyer sërish në punë pas vetëm 1 muaji e pak ditë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Fazliut, iu caktua fillimisht një muaj paraburgim dhe posa kreu masën e rikthyen në vendin e tij të punës, Klinikën e Otorinolaringologjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore