Lajme

Policia gjermane monitoron grupet antisemitiste në protestat pro-palestinezëve


Kryetari i Federatës së Detektivëve Gjermanë (FDGJ), Sebastian Fiedler, të hënën e 17 majit, ka bërë thirrje për mbikëqyrje më të afërt të demonstruesve gjatë protestave pro-palestinezëve.

Sipas Fielder-it, përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme do të thotë që autoritetet e sigurisë duhet të vëzhgojnë nga afër skenën e protestës në Gjermani.

Ndërsa konflikti midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza ka hyrë në javën e dytë, Gjermania ka parë vandalizëm dhe antisemitizëm gjatë demonstratave pro-palestineze në disa qytete.

Gjatë një incidenti javën e kaluar, në qytetin perëndimor të Gelsenkirchen, 180 njerëz marshuan nga stacioni i trenit në një sinagogë (Faltore e besimtarëve çifutë), duke brohoritur me parulla antisemitiste.

Ligjvënësit gjermanë janë nën presion për të vepruar dhe komuniteti hebre i Gjermanisë ka bërë thirrje për më shumë mbrojtje.

Komisioneri gjerman i antisemitistëve, Felix Klein, deklaroi se prokurorët gjermanë duhet të vihen në një “pozitë për të njohur dhe ndëshkuar shpejt dhe më mirë antisemitizmin”.

Policia përballë protestuesve

Fiedler shtoi se situata, si ajo që ndodhi në Gelsenkirchen, tregojnë sesi policia lokale u “befasua” nga “numri dhe militantizmi” i demonstruesve.

Ai shtoi se forcat e policisë lokale janë tashmë të tensionuara në përmbajtjen e protestave pro-palestineze. Është e vështirë të veçosh shkelësit antisemitistë gjatë konfuzionit dhe rrëmujës së demonstratave.

“Dënimet më të ashpra kundër parullave antisemitiste kanë kuptim vetëm nëse oficerët në terren mund të kapin gjithashtu shkelësit”.

“Forca e plotë e ligjit” kundër protestës antisemiste

Presidenti i Bundestag-ut, Wolfgang Schäuble, ka bërë thirrje për ndëshkime më të ashpra që synojnë antisemitizmin gjatë demonstratave kundër Izraelit.

“Sigurisht, protesta e zhurmshme kundër politikës izraelite është e lejuar, por nuk ka asnjë justifikim për antisemitizmin, urrejtjen dhe dhunën”.

Ai shtoi se çdo protestues, që nuk distancohet gjatë demonstratave nga sulmet verbale ndaj të drejtës së Izraelit për të ekzistuar, do të ishte “bashkëpunëtor”.

Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, bëri vërejtje të ngjashme gjatë fundjavës.

“Ne nuk do të tolerojmë djegien e flamujve izraelitë në tokën gjermane dhe sulmet ndaj objekteve hebraike”.

Çfarë ka ndodhur gjatë protestave?

Mijëra njerëz u bashkuan me tubimet pro-palestineze në disa qytete gjermane të shtunën, duke përfshirë Berlin-in, Frankfurt-in, Këln-in, Leipzig-un dhe Hamburg-un.

Protestat ishin kryesisht paqësore dhe shumë demonstrues shprehën kundërshtimin e tyre ndaj politikës së Izraelit kundrejt palestinezëve.

Shumë prej tyre mbanin shenja duke thënë “Liria për Palestinën”, “Stop gjenocidit” dhe “Kundër sionistëve – jo kundër hebrenjve”.

Sidoqoftë, kishte disa skena dhune dhe agjitacioni antisemitist në disa qytete – sipas mediave gjermane – me protestuesit që qëllonin policinë me gurë dhe shishe.

Disa protestues u përpoqën të digjnin flamuj izraelitë, bërtisnin dhe bënin thirrje për bombardimin e Tel Aviv-it.

Schäuble tha të hënën se konflikti në Lindjen e Mesme nuk do të zgjidhet në Gjermani dhe “ne nuk do të lejojmë që ajo të kryhet këtu në kurriz të gjermanëve hebrenj”.

Çfarë po ndodh në Izrael?

Ngjarja në Jerusalem dhe Tel Aviv është rënduar së tepërmi ndërkaq. Sulme të njëpasnjëshme nga Hamasi kanë goditur zonat izraelite.

Vendimi i Izraelit, nga ana tjetër, ka qenë kundërpërgjigjja e ashpër me anë të raketave.

Mbi 60 fëmijë kanë qenë pre e luftës të shtatë ditëve të fundit. Një ndërtesë, ku ishin të vendosura zyrat e Al Jazeera dhe Associated Press, u shemb tërësisht pas një sulmi me raketa.

Bashkësia ndërkombëtare ka hedhur shqetësime të shumta mbi situatën. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur mbështetje për Izraelin. Sipas tyre, hebrenjtë kanë të drejtë të mbrohen ndaj sulmeve të Hamasit.

Gjithsesi, thirrje është bërë që kundërpërgjigjet të jenë proporcionale dhe të mos synojnë civilët.

Një mbledhje e jashtëzakonshme e ministrave të Jashtëm të BE-së është thirrur të mbahet të martën e 18 majit. Një vendim pritet mbi mënyrat e ndërhyrjes për mospërshkallëzimin e konfliktit.

Netanyahu, nga ana tjetër, ka deklaruar se sulmet e Izraelit nuk do të ndalen.

Mëngjesin e 17 majit, avionët ushtarakë izraelitë kanë nisur një seri tjetër sulmesh ajrore në Rripin e Gazës.

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), më 16 maj u takua për të diskutuar dhunën, por nuk arriti të binte dakord mbi një deklaratë të përbashkët shqetësimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore