
Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Ylli Vasili, mëngjesin e 16 dhjetorit ka bërë me dije se janë marrë të gjitha masat për të parandaluar importimin dhe hedhjen në treg të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve, që rrezikojnë sigurinë publike, jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Vasili theksoi se masat janë shtuar për kontrollin e territorit, në mënyrë që të verifikohet zbatimi i kritereve të prodhimit, magazinimit e përdorimit të lëndëve piroteknike e fishekzjarrëve, në prag të festave të fundvitit – Krishtlindje dhe Viti i Ri.
Ai shtoi se kushdo që shkel ligjin për rregullat e magazinimit dhe tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve do të kapet dhe do të vihet para përgjegjësisë ligjore.
“Strukturat vendore të Policisë, në bashkëpunim me shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin do të hartojnë plane të përbashkëta inspektimi dhe kontrolli të befasishëm në të gjitha subjektet e licencuara për magazinimin, tregtimin dhe përdorimin e lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve”, vijoi Vasili.
Nga ana tjetër ai iu bëri apel të gjitha subjekteve tregtare që të mos tentojnë të fusin dhe të tregtojnë lëndë piroteknike e fishekzjarrë në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa, kërkoi mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e prindërve që të mos i lejojnë fëmijët të blejnë dhe të përdorin fishekzjarrë, pasi rrezikojnë jetën e shëndetin e tyre dhe shkaktojnë prishje të qetësisë publike.
Në përfundim ai vijoi apelin që çdo paligjshmëri të denoncohet në “Komisariatin Digjital”.
/Albanianpost.com-
Kanceri i qafës së mitrës, ndër 10 më të përhapurit në Shqipëri/ Mundësi unike nga SIGAL UNIQA që nuk duhet humbur nga gratë dhe vajzat
-
Sherr në lokal, adoleshenti plagos rëndë moshatarin
-
Krim i dyfishtë në Gramsh, 75-vjeçari vret gruan dhe vëllain
-
Tabaku i kërkon Dumanit të caktohet një prokuror special për të hetuar krimet zgjedhore