Shqipëria

Policia e referon në Prokurori si aksidental zjarrin në pallatin 10-katësh


Në Prokurori, Policia e Tiranës e ka referuar si aksidental zjarrin që përfshiu pallatin 10-katësh.

Paçka kësaj, hetimet për të zbardhur të plotë ngjarjen vijojnë.

Mësohet se po priten autorizime nga prokurori i çështjes për të vijuar me marrjen në pyetje edhe të personave të tjerë, përfshirë edhe ndërtuesin e pallatit Tanush Mëhillaj.

Policia ende nuk ka në dorë akt-ekspertimin e analizës së llojit të materialit që është veshur fasada e jashtme e pallatit, e cila rezultoi fatale për përhapjen e zjarrit.

Edhe ekspertët e zjarrfikëses vijojnë punën për të zbuluar shkakun e zjarrit, derisa deri në daljen përfundimtare të ekspertizës duhen edhe disa ditë.

Zjarrin në pallatin 10-katësh në Tiranë dyshohet ta ketë shkaktuar instalimi jashtë standardeve i një kondicioneri në apartamentin e katit të nëntë.

Zjarri është përhapur me shpejtësi prej një materiali të djegshëm që është përdorur nga ndërtuesi në fasadën e pallatit, e cila ka përzierje me nënprodukte të naftës, që kanë favorizuar flakët.

Sakaq, katër apartamente u dogjën mesditën e 14 shtatorit, ndërsa 12 të tjerë pësuan dëmtime të pjesshme.

Pallati i përfunduar në vitin 2021 nga Mhillaj, kishte një sistem jo funksional për mbrojtjen ndaj zjarrit, pasi nuk kishte rrjet të pavarur për furnizimin me energji elektrike.

Çka do të kishte lehtësuar punën e forcave zjarrfikëse për t’u furnizuar me ujë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore