Lajme

Policia e Kosovës sekuestron me qindra kilogram cigare e duhan të papërpunuar e të kontrabanduar kryesisht nga Maqedonia e Veriut


Policia e Kosovës, ka gjetur dhe konfiskuar sasi të konsiderueshme prodhimit dhe kontrabandimit të cigareve dhe duhanit të papërpunuar, në katër raste të ndryshme me lokacione të ndryshme gjithashtu, në Kosovë.

Në rastin e parë, më 23 prill, në qytetin e Vitisë, nga informacionet e pranuara në një rast është identifikuar një shtëpi banimi që është dyshuar për mall të kontrabanduar, ku më pas është bërë bastisja e shtëpisë dhe e objekteve përreth, me ç ‘rast janë gjetur dhe janë konfiskuar në total 922.7 kg duhan, ose 577.10 kg duhan i grirë, refuz, 88,80 kg duhan i grirë i paketuar në qese, 290 kg ambalazhe najloni për duhan, 497 kg ambalazh kartoni për duhan, 1 makinë për ambalazhimin e duhanit, 259 kg duhan i papërpunuar (fleta).

Në rastin e dytë, gjatë vëzhgimit në një rrugë në fshatin Mjak, është vërejtur një veturë e cila ka hyrë nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, e cila pasi kishte vërejtur njësitë policore ishte larguar në drejtim të panjohur dhe pas marrjes së veprimeve për lokalizimin e saj, e njëjta është gjetur e braktisur dhe e ngarkuar me 12 mijë e 750 pako, në total 255 mijë cigare, e cila kap vlerën e 22 mijë e 950 eurove, sipas vlerës së tregut.

Në rastin e tretë, Policia e Kosovës, pa treguar lokacionin se ku, ka identifikuar një shtëpi të pabanuar, në të cilën është gjetur duhan i papërpunuar në sasi prej 21 thasësh, pesha e të cilëve shkon deri në 10 kg për një thes. Vlera e të cilëve në total shkon 210 kilogramë.  Malli dyshohet që është sjellë nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe është i kontrabanduar, ku i njëjti është sekuestruar për procedura të mëtejshme policore.

Në rastin e katërt, pas informacioneve të marra për kontrabandim të mallrave, specifikisht të duhanit, policia e Kosovës ka ndaluar një veturë në fshatin Ramnishtë të komunës së Vitisë, e cila ishte e ngarkuar me duhan të paketuar.

Malboro 20 pako në sasi 500 gr, në total 10 kg, Sobrani 80 pako, në sasi 500gr që bëjnë 40kg, Davidoff 141 pako, në sasi 500 gr. të cilat peshojnë 70,5 kg, Slims Carelia 220 pako, në sasi 500 gr. Në peshë totale 110 kg. Të gjitha komplet kapën shifrën 230,5 kilogram, për të cilin nuk kishte dokumentacion përkatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore